Teksasi mund t’u ndalojë pronësinë e tokës qytetarëve të disa vendeve 

Ilustrim

Ligjvënësit e Teksasit po shqyrtojnë mundësinë e miratimit të një ligji për të mos lejuar shtetas kinezë, rusë, iranianë dhe koreanoveriorë të blejnë tokë dhe të jenë pronarë biznesesh në këtë shtet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell kundërshtarët thonë se një ligj i tillë është racist.

Your browser doesn’t support HTML5

Teksasi mund t’u ndalojë pronësinë e tokës qytetarëve të disa vendeve

Senatorja në legjislaturën e Teksasit, Lois Kolkhorst thotë se projektligji që do t'i ndalojë qytetarët e Iranit, Koresë së Veriut, Rusisë dhe Kinës të zotërojnë biznese dhe lloje të caktuara tokash në Teksas ka të bëjë me sigurinë.

“Më lejoni të jem e qartë se qytetarët e Teksasit e kuptojnë kërcënimin nën të cilin jemi. Këtë e kanë të qartë demokratët, republikanët dhe të pavarurit. Unë jam krenare që sjell para jush për ta votuar një shqetësim që buron nga populli”, tha senatorja republikane në legjislaturën shtetërore të Teksasit, Lois Kolkhorst.

Të enjten organi ligjvënës i Teksasit filloi dëgjesat publike për projektligjin. Ligjvënësi Gene Wu thotë se është veprim anti-amerikan t'i trajtosh njerëzit ndryshe për shkak të vendlindjes së tyre.

“Në thelb, projektligji thotë se çdo emigrant nga këto vende është një spiun, është një tradhtar, është një agjent i mundshëm për këto vende. Kjo është thjesht e padrejtë veçanërisht duke pasur parasysh që shumë nga njerëzit që vijnë nga Kina, Irani apo Rusia, janë njerëz që po ikin nga ato qeveri”, tha ligjvënësi demokrat, Gene Wu.

Komisioneri i Departamentit të Bujqësisë në Teksas, Sid Miller thotë ai ka punuar me ligjvënësit për të hartuar legjislacionin, pasi një miliarder kinez me lidhje të dyshimta me ushtrinë kineze, bleu më shumë se 52,000 hektarë tokë në jug të Teksasit. Ky person kishte plane të ndërtonte një fermë me turbina me erë për të prodhuar energji, pranë një baze të Forcave Ajrore.

“Nëse një person dëshiron të blejë tokë, ai mund të bëhet shtetas amerikan. Por, nëse je anëtar i Partisë Komuniste, ose një nga armiqtë tanë, jo, nuk mund të blesh tokë”, tha Sid Miller, Komisioneri i Departamentit të Bujqësisë në Teksas.

Jamal Abdi, president i Këshillit Kombëtar Iraniano-Amerikan, thotë se problemi me këtë projektligj është se ai do të prekë edhe njerëzit që nuk kanë lidhje me qeveritë e huaja. Ai beson se kjo do të rrisë racizmin edhe më shumë.

“Projektligji do t’i nxiste qytetarët që në një farë mënyre të bëheshin vetë edhe zbatues të ligjit, duke menduar se meqë ligji i ndalon këta të huaj të blejnë biznese, atëhere unë duhet të veproj vetë për të mos i lejuar”, thotë Jamal Abdi nga Këshilli Kombëtar Iraniano-Amerikan.

Ligjvënësi Wu thotë se projektligji do të ndikojë edhe mbi bizneset.

“Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Teksasit dhe Kina është blerësi i tretë më i madh i mallrave nga Teksasi. Nëse u thoni studentëve të diplomuar se nëse vini këtu, mund të mos jeni në gjendje të filloni një biznes, atëhere pëse ata duhet të vinë dhe këtu dhe të mos shkojnë diku tjetër ku jani të mirëpritur?”, pyet ligjvënësi demokrat i Teksasit, Gene Wu.

“I gjithë qëllimi i projektligjit, është t’i ndalojmë njerëzit nga Kina të vijnë këtu për të blerë tokën tonë. Ky është i gjithë qëllimi. Kjo do t’u ndalojë qytetarëve nga Kina të vijnë këtu për të blerë tokën tonë. Ne nuk e duam këtë gjë”, thotë Sid Miller, Komisioneri i Departamentit të Bujqësisë në Teksas.

Nëse projektligji miratohet nga të dyja dhomat e legjislaturës së Teksasit, guvernatori Greg Abbott thotë se është gati ta nënshkruajë atë.