Shkodër, programi për të rinjtë: “Lëvizja rinore-qyteti im ekologjik”

  • Pëllumb Sulo

Your browser doesn’t support HTML5

Shkodër, të rinjtë për qytetin e të ardhmes

Ndryshimi me shpejtësi i pamjes së qyteteve në Shqipëri përmes ndërtimeve të shumta dhe zvogëlimi i hapësirave publike, kanë nxitur një grup prej më shumë se 200 të rinjsh nga 4 shkolla të mesme të qytetit të Shkodrës për të marrë pjesë në programin “Lëvizja rinore-qyteti im ekologjik”.

Bashkërisht ata kanë shprehur, përmes maketeve, idetë dhe sfidat si dëshirojnë të jetë qyteti i tyre në të ardhmen.

Gjimnazistët Valentina Ndërshtiqaj, Pranvera Baci dhe Ana Ndreca thonë se qyteti i të ardhmes duhet të jetë i afërt dhe miqësor me qytetarët, me zona turistike të ndërtuara me materiale të riciklueshme, që nuk shkaktojnë ndotje në mjedis, një qytet ekologjik që do të ketë gjithçka që i nevojitet qytetarëve.

Pjesë e projektit është edhe studimi mbi vlerësimin e nevojave dhe standardeve për një qytet ekologjik.

Nisma e të rinjve është mbështetur nga Forumi Shqiptar “Liqeni i Shkodrës”, si pjesë e programit Green Al, financuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Suedisë.

Koordinatorja e Forumit Shqiptar “Liqeni i Shkodrës”, Atrida Ferketi, thotë se anketimi i rreth 1200 qytetarëve ka nxjerr në pah problematikat që ka qyteti dhe nevojat e tij për të ardhmen, mes të cilave nevoja për më shumë hapësirë të gjelbër, korsi të biçikletave, mirëmbajtje e ndërtesave të vjetra, parqe më shumë për të gjitha moshat, mosbetonizimi i qyteteve dhe më shumë vëmendje për mjedisin natyror.

“Të rinjtë i shikojmë shumë të angazhuar. Ata kanë ideu makete të gjelbëra, dhe janë mbase disa hapa më përpara se vetë urbanistët dhe inxhinierët mjedisor të Shkodrës. Ata inspirohen dhe mendojnë për një qytet me idetë e tyre bashkëkohore tashmë. Janë përpara përsa i përket energjisë së rinovueshme, hapësirave të gjelbëra, hapësirave për vetë të rinjtë, të cilat janë në mungesë”.

Nismës së të rinjve të 4 shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës i është bashkëngjitur edhe Universiteti Polis. Rektori Besnik Aliaj thotë se është i rëndësishëm inkurajimi i të rinjve për të qenë më të vëmendshëm rreth zhvillimit të qyteteve dhe ndryshimeve në territor, pasi kjo ka të bëjë me të ardhmen dhe cilësinë e jetesës së tyre.

“Ende nuk po kuptohet që problemet reale janë në territor, po edhe burimet dhe shanset e zhvillimit janë në territor. Këto potenciale duhen vënë në përdorim, duhen shfrytëzuar. Për këtë duhet ekspertizë, duhet një gjeneratë e re e edukuar me një frymë tjetër nga se janë edukuar deri tani. Aq më tepër që absorbimi i krizave

që ndodhin nga ngrohja globale, pandemia, tërmetet, zjarret, thatësira, të gjitha të kombinuara, krijojnë një frymë dhe një klimë e cila kërkon përballje. Dhe janë këto gjenerata që nesër do të përballen”.

Maketet me idetë e të rinjve mbi të ardhmen e qytetit u ekpozuan përpara bashkisë me qëllim ndërgjegjësimin e strukturave vendore për një vëmendje më të madhe ndaj problematikave që ka sot qyteti.

“Idetë e të rinjve përmes këtyre maketeve, idetë e gjelbërta, janë një apel për vendimmarrësit, është një apel për një qytet të jetueshëm, një apel për një qytet ekologjik, për një Shkodër ekologjike drejt një zhvillimi të qëndrueshëm”.

Në pjesën më të madhe të bashkive të Shqipërisë hapësirat publike vazhdojnë të ngushtohen, ndërkohë që vazhdon betonizimi i territorit përmes ndërtimeve me miratimin e strukturave vendore, pa pyetur qytetarët dhe pa marrë parasysh si do të ndikojnë në jetesën e tyre.