Pronari i Fox News-it pranon se disa prezantues televiziv përkrahën pretendimet e rreme mbi zgjedhjet 

Manjati i medias dhe pronari i rrjetit mediatik e organizatës me të njëjtin emër Fox News, Rupert Murdoch, pranoi se disa drejtues emisionesh përkrahën pretendimet e rreme të ish-Presidentit Donald Trump se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin vjedhur. Zoti Murdoch pranoi gjithashtu se ai nuk kishte ndërhyrë për t'i ndaluar ata që të mos u jepnin zë këtyre pretendimeve. Ky informacion është marrë nga një dokument gjyqësor që u publikua të hënën, ku janë përfshirë copëza të dëshmisë së Rupert Murdoch-ut në kuadër të një procesi gjyqësor kundër Fox News.

Procesi lidhet me një padi të ngritur nga ‘Dominion Voting Systems’, kompania që prodhon pajisje e programe për votimin elektronik, kundër gjigantit amerikan të lajmeve.

Sipas dokumenteve të bëra publike, zoti Murdoch u pyet nëse ishte në dijeni se disa nga prezantuesit e programeve të Fox News-it si Lou Dobbs, Maria Bartiromo, Jeanine Pirro dhe Sean Hannity kishin përkrahur pretendimet e rreme mbi manipulimin e zgjedhjeve. Zoti Murdoch u përgjigj: “Po. Ata i përkrahën”.

Dëshmia e zotit Murdoch është zhvillimi më i fundit në padinë për shpifje kundër Fox News-it mbi mënyrën se si transmetuesi televiziv i ka trajtuar pretendimet e ish-Presidentit Trump. Duke mbështetur pretendimet e zotit Trump, Fox News duket se bëri përpjekje të rikthejë shikueshmërinë e humbur, pasi kishte raportuar fillimisht se zgjedhjet presidenciale në shtetin e Arizonës ishin fituar nga Joe Biden, çka zemëroi konservatorët dhe përkrahësit e zotit Trump.

Një dosje e mëparshme tregoi dallimin mes përkrahjes publike të pretendimeve për zgjedhjet e vjedhura që televizioni transmetonte në programet e mbrëmjes dhe asaj që emrat e njohur të tij thoshin në biseda private. Në një mesazh telefonik dërguar më 16 nëntor 2020, prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, shkruante “Sidney Powell po gënjen” se ka prova për manipulime zgjedhore, duke iu referuar një prej avokateve të zotit Trump.

Padia e kompanisë Dominion është shembulli i fundit që tregon se ata që po përhapnin informacione të rreme për zgjedhjet e vitit 2020 e dinin se nuk kishte prova për t’i mbështetur ato pretendime. Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve, tanimë i shpërbërë, i cili hetoi sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, zbuloi se shumë nga këshilltarët kryesorë e paralajmëruan vazhdimisht ish-Presidentin Trump se akuzat që ai po bënte për mashtrim, ishin të pabazuara në fakte, megjithatë ai vazhdoi të përsëriste se zgjedhjet ishin vjedhur.

Sipas dosjes gjyqësore, zoti Murdoch, kishte kërkuar shkarkimin e komentatorit Lou Dobbs në shtator të vitit 2020, pak javë përpara zgjedhjeve me arsyetimin se ai ishte “ekstremist”. Pronari i Fox-it gjithashtu mendonte se ishte “vërtet keq” që ishte ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Rudy Giuliani që e këshillonte zotin Trump sepse “gjykimi i Giulianit ishte i keq” dhe ai ishte “një person me pikëpamjet të njëanshme ekstreme”, gjithmonë sipas dokumenteve gjyqësore.

Rupert Murdoch u pyet nëse duhet të kishte kërkuar që zonja Powell dhe zoti Giuliani të mos dilnin në transmetim: “Mund ta bëja, por nuk e bëra”, u përgjigj ai.

Kompania “Dominion Voting Systems” me seli në Denver, që shet pajisje dhe programe për votimin elektronik, ka paditur jo vetëm kanalin televiziv Fox News, por dhe kompaninë mëmë Fox Corp. për shpifje. Kjo kompani pretendon se disa punonjës të Fox News-it, qëllimisht i përforcuan pretendimet e rreme të mbështetësve të zotit Trump se makinat e “Dominion Voting Systems” kishin ndryshuar votat në zgjedhjet e vitit 2020. Padia gjithashtu pretendonte se Fox News-i u ofroi një platformë të ftuarve që të bënin deklarata të rreme për kompaninë.

Avokatët e Dominion-it pretendojnë se drejtuesit, si të Fox News-it ashtu edhe të Fox Corp-it, e dinin që rrjeti po transmetonte “gënjeshtra, kishin fuqinë t’i ndalonin, por zgjodhën të bënin të kundërtën”.