Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, vend i cili ka kryesinë e radhës së OSBE-së, thotë se Shkupi po udhëheq organizatën në ditët më të vështira, kur një vend anëtar i saj, sikurse Rusia, po cenon themelet dhe arsyen e ekzistencës së vetë organizatës. Zoti Osmani ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në një takim të Komitetit amerikan të Helsinkit, takim që do të përqendrohet tek lufta në Ukrainë. Mes njoftimesh se Pekini mund të furnizojë me armë Moskën, kreu i OSBE-së thotë se nuk do të ishte në interesin e Kinës, që të bëhej pjesë e një agresioni të tillë. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Osmani flet gjithashtu mbi ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe se si ky vend po i shfrytëzon dobësitë apo pengesat drejt anëtarësimit të këtyre vendeve në BE, për të forcuar ndikimin e saj në këtë rajon.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani vendi juaj ka aktualisht kryesinë e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë të saj, çfarë përpjekjesh po bën OSBE-ja, a ka vend për organizatën që ju drejtoni për të luajtur rol drejt një zgjidhjeje diplomatike?
Bujar Osmani: Fillimisht është privilegj që një vend i vogël të udhëheqë organizatën më të madhe rajonale të sigurisë me 57 vende anëtare, nga Vankuveri deri në Vladivostok, që përfshin rreth 1.3 miliardë njerëz. Kjo organizatë u krijua para 50 vitesh, në kohën e Luftës së Ftohtë, duke përfshirë vendet që kanë perspektivë të ndryshme ndaj sigurisë, për t’i ulur ato rreth një tryeze dialogu për të parandaluar fillimin e një lufte në Evropë. Për fat të keq, ajo për të cilën organizata ka punuar për 50 vite, pra parandalimin e fillimit të një lufte, tani është goditur nga agresioni rus në Ukrainë. Ne po udhëheqim organizatën në ditët e saj më të vështira, kur një vend anëtar i saj po cenon themelet dhe arsyen e ekzistencës së vetë organizatës, duke e bllokuar punën e saj. Mirëpo, organizata tregoi rezistencë ndaj këtyre prirjeve të Federatës Ruse për ta bllokuar atë dhe ajo po vazhdon me punën e vet. Kemi 13 misione në terren, në Azinë Qendrore, Ballkanin Perëndimor, Kaukazin e Jugut, Moldavi. Në baza ditore po punohet për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në këto zona konflikti. Kemi edhe tre institucione autonome të OSBE-së, të cilat po punojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nxitjen e demokracisë dhe zgjedhjet e lira. Pavarësisht këtyre ditëve të vështira, OSBE-ja do të vazhdojë punën e saj në terren. Për shembull, në Ukrainë, Rusia ka bllokuar praninë tonë atje. Por, ne kemi gjetur një mënyrë për të anashkaluar çështjen e konsensusit, duke qenë të pranishëm atje përmes aktivitetit vullnetar të mbi 25 vendeve që po financojnë projekte të OSBE-së për të ndihmuar qeverinë dhe popullin e Ukrainës. Ne gjithashtu po bëjmë verifikimin shkeljes së ligjeve ndërkombëtare dhe atyre humanitare si dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, a jeni ju të shqetësuar nga njoftimet e fundit se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë?
Bujar Osmani: Sigurisht që do të ishte një dimension tjetër i luftës. Mendoj se nuk është në interesin e Kinës që të nxisë flakën, një agresion të paarsyeshëm dhe e të paligjshëm në Ukrainë, duke shkaktuar vdekje civilësh, fëmijësh, tragjedi të papara. Mendoj që nuk është në interesin e Kinës që të bëhet pjesë e një agresioni të tillë që po ndodh në Ukrainë.
Zëri i Amerikës: Të kthehemi tek zhvillimet në vendin tuaj, por pa u shkëputur nga Rusia. Zoti Ministër, ju keni thënë se Moska është e interesuar që ta mbajë të ndezur konfliktin në rajon si formë të ndikimit të saj. Në vendin tuaj, në çfarë formë po manifestohet kjo gjë?
Bujar Osmani: Federata ruse asnjëherë nuk ka dhënë ofertë për Ballkanin Perëndimor. Keni dëgjuar ju dikush të shkojë në mërgatë në Rusi? Keni dëgjuar që Federata ruse të ofrojë ndonjë ide për zhvillimin demokratik të shoqërive në rajon? Asnjëherë. Kur nuk keni mundësi për të dhënë një ofertë, atëherë e vetmja mënyrë për të mbajtur ndikimin është duke i mbajtur konfliktet të gjalla: duke i mbajtur ndonjëherë të heshtura, por që t’i shfrytëzoni dhe t’i përshkallëzoni atëherë kur ju keni nevojë. Për fat të keq perspektiva e ngadalshme evropiane në rajon ka krijuar tokë pjellore dhe pika të dobëta, që Federata ruse mund t’i përdorë gjithmonë kur ka nevojë, për ndikim më të madh. Agresioni rus në Ukrainë edhe më tepër ka vënë theksin në këto pika të dobëta të rajonit dhe prandaj është e rëndësishme që jo vetëm si OSBE, por komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe vendet në rajon të përshpejtojnë proceset e konsolidimit të institucioneve, të demokratizimit të shteteve dhe integrimit euroatlantik të rajonit që të mos lënë hapësirë dhe mundësi për ndikime të tilla malinje në rajon.
Zëri i Amerikës: Një nga kushtet e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e vendit tuaj në BE është përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë. Deri tani, për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të votave në parlament, kjo nuk ka ndodhur. A ka zgjidhje kjo çështje?
Bujar Osmani: Kjo është çështje shumë e rëndësishme për disa arsye. E para sepse garanton procesin e negociatave për në Bashkimin Evropian. Së dyti mbyll ndoshta edhe çështjen më të fundit politike të cilën e ndan shoqërinë sa i takon temave identitare, temave politike ndër fqinjësore dhe pastaj, pas atij vendimi, debati në shoqëri do të jetë mbi luftën kundër korrupsionit, mbi shtetin ligjor dhe zhvillimin ekonomik të shtetit. Rezistenca ndaj mbylljes së temave politike vërtet lë dyshime pse duan që temat e luftës kundër korrupsionit e shtetit të së drejtës, të mos dominojnë në shoqërinë tonë e të vazhdojnë në këto tema, në cilat politikat ditore mund të kenë interes afatshkurtër, por jo edhe shteti dhe jo qytetari. Andaj ne do të vazhdojmë sepse nuk kemi rrugë tjetër përpos rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe duhet të bisedojmë me çdo deputet veç e veç, për t’i bindur se ndryshimet kushtetuese janë në interes të të gjitha komuniteteve, të qytetarëve dhe para së gjithash të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Zëri i Amerikës: Ju do të vazhdoni në këtë rrugë sikur e thatë, por duket sikur nuk i keni votat në Parlament. Mund të ishin zgjedhjet e parakohshme një zgjidhje?
Bujar Osmani: Nuk janë zgjedhjet një zgjidhje, për shkak se unë mendoj se fillimisht duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Kemi stabilitet të mjaftueshëm të qeverisë. Sot pas disa orësh parlamenti besoj se do të mandatojë qeverinë ose ministrat e rinj edhe me një stabilitet më të madh në parlament dhe do të duhet të mbyllim çështjet e mëdha dhe pastaj në zgjedhje do të shkojmë në maj të vitit 2024 atëherë kur janë edhe zgjedhjet e rregullta. Kujtoj që është shumë e rëndësishme që të garantojmë rrugën evropiane të shtetit, t’i mbyllim temat politike që zgjedhjet e ardhshme të jenë për atë se cila parti politike do të ofrojë jetë më të mirë për qytetarët, do të ofron program më të mirë ekonomik. Po u zhvilluan zgjedhjet para ndryshimeve kushtetuese, zgjedhjet e ardhshme do të jenë referendum a do të kemi ndryshime kushtetuese apo jo. Prandaj është shumë me rëndësi që të mbyllim të çështjeve të hapura politike, të futemi në një kapitull të ri të luftës kundër korrupsionit, demokratizimit të shoqërisë dhe progresit evropian dhe progresit ekonomik.
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, si paraqitet situata në Bashkimin Demokratik për Integrim, ku një grup zyrtarësh kanë shprehur pakënaqësi duke kërkuar largimin e ministrave të BDI-së nga qeveria. A po shkon partia drejt një lloj ndarjeje?
Bujar Osmani: Jo, absolutisht se jo. BDI është parti demokratike në të cilën zëri ndryshe gjithmonë ka pasur liri të shprehjes, por si në çdo demokraci është shumica ajo që merr vendime. Edhe në BDI për çdo vendim, qoftë politik apo kadrovik, shumica ka marrë vendim dhe ato duhet të respektohen.