Presidenti i Bjellorusisë dhe aleati i Rusisë, Alexander Lukashenko pritet të vizitojë Kinën

Alexander Lukashenko, presidenti i Bjellorusisë dhe një aleat i ngushtë i udhëheqësit rus, do të vizitojë Pekinin këtë javë, tha Ministria e Jashtme e Kinës, në një kohë kur po shtohen shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se Kina po shqyrton ofrimin e ndihmës ushtarake për Rusinë.

Zëdhënësi Hua Chunying tha se Lukashenko do të vizitojë Kinën të martën dhe do të qëndrojë deri të enjten, por nuk dha detaje rreth agjendës së tij.

Bjellorusia e ka mbështetur fuqishëm Moskën dhe ka lejuar që forcat ruse të përdornin territorin e saj, në fillimet e sulmit rus ndaj Ukrainës një vit më parë.

Zoti Lukashenko është presidenti i vetëm i Bjellorusisë që nga krijimi i postit në vitin 1994 dhe shtypi protestat e vitit 2020 për rizgjedhjen e tij në një proces të diskutueshëm votimi, që opozita dhe vendet perëndimore e kanë cilësuar të manipuluar.

Vizita vjen pasi zyrtarët e lartë amerikanë përsëritën paralajmërimet ndaj Kinës kundër ofrimit të ndihmës ushtarake për Moskën në sulmin që ka ndërmarrë ndaj Ukrainës, duke thënë se kjo do të sillte pasoja të rënda.