Mes luftës, vullnetarët në Lviv ruajnë ndërtesat historike 

Ndërsa nuk dihet se kur do të përfundojë lufta në Ukrainë, një organizatë vullnetare në perëndim të vendit, e quajtur “Kalorësit e Lvivit”, angazhohet nga viti 2014 për restaurimin e ndërtesave të vjetra historike që pësojnë dëme nga sulmet ushtarake. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Omelyan Oshchudlyak nga Lvivi, grupi njëkohësisht ndihmon ushtarët ukrainas duke rinovuar pajisje të ndryshme që mund të ndihmojnë luftën e tyre.

Your browser doesn’t support HTML5

Mes luftës, vullnetarët në Lviv ruajnë ndërtesat historike

Disa dërrasa, një zjarr dhe një enë metali duhen për rregullimin e çatisë së një kishe të vjetër ukrainase.

Dërrasat zihen në një përzierje me vaj motori të përdorur, duke i bërë ato rezistente ndaj ujit, që mund të përdoren në vend të tjegullave për çati.

“Gjyshi im më mësoi se një dërrasë çatie vlen sa një bukë. Ne kemi 22 mijë të tilla për kishën”, thotë Andriy Saliuk nga organizata “Kalorësit e Lvivit”.

Pavarësisht luftës, sipërmarrës, psikologë, financierë, gazetarë, studentë, mësues, arkitektë, restauratorë dhe prokurorë, mblidhen çdo muaj në periferi të Lvivit, për të ruajtur këtë kishë prej druri.

Nga viti 2013, Andriy Saliuk dhe miqtë e tij kujdesen për kishën përmes donacioneve publike.

Kisha është mbuluar me material rezistent ndaj lagështisë dhe është rinovuar kambanorja.

“Më pëlqen të ngjitem lart dhe të shoh pamjen”, thotë vullnetarja Natalya Kodan.

Shtëllunga të mëdha tymi u panë aty afër disa ditë më vonë. Raketat ruse goditën objektet energjetike, vetëm 10 kilometra larg kishës.

Grupi vullnetar i zotit Saliuk filloi të bashkëpunojë me forcat e armatosura të Ukrainës në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë.

Ata dërguan pajisje vrojtimi, aparate me rreze infra të kuqe, dylbi, periskopë, stacione meteorologjike, dronë dhe ndonjëherë makina në vijat e para. Nuk është shumë, por çdo gjë e vogël ndihmon, thotë zoti Saliuk.

Ai fitoi përvojën e parë vullnetare më 1990, gjatë protestave të para studentore në shkallë të gjerë në Kiev në eopën sovjetike. Ai u siguronte tenda dhe pajisje tjera protestuesve që po qëndronin në atë që sot njihet si Sheshi i Pavarësisë.

Sot, ai inkurajon ndjekësit e tij në rrjete sociale që të dhurojnë aparatet e dëmtuara me rreze infra të kuqe; grupi i tij mund t’i riparojë ato.

"Kur na telefonojnë në orën 5 të mëngjesit dhe na thonë se pa këto pajisje nuk do të ishin gjallë, e kuptojmë se përpjekjet tona ia vlejnë”, thotë vullnetari Svyatoslav Pavliuk.

Zoti Saliuk thotë se për aq sa do të zgjasë lufta, grupi vullnetar nuk do të ndalet së angazhuari për dërgimin e ndihmave për luftëtarët ukrainas në vijën e parë të frontit.