Vuhledari, një qytet në lindje të rajonit të Donetskut në Ukrainë, dikur ishte shtëpia për mijëra banorë. Një vit pas nisjes së agresionit të Rusisë, ky qytet është braktisur dhe banorët që kanë mbetur janë të pakët. Ushtarët ukrainas vijojnë betejën me forcat ruse, ndërsa ky qytet është një pikë strategjike për zonën industriale në lindje të Ukrainës, Donbasin.
Your browser doesn’t support HTML5
Brenda qytetit Vuhledar, në lindje të rajonit të Donetskut në Ukrainë, ushtarët luftojnë për ta mbrojtur atë nga forcat ruse.
Dikur ky qytet që ishte shtëpia e mijëra banorëve, tani është braktisur. Pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar nga bombardimet ruse.
Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar përpjekjet e saj për të kapur plotësisht zemrën industriale në lindje të Ukrainës, Donbasin. Ushtarët ukrainas që mbrojnë qytetin Vuhledar mbeten ende optimist për fitoren.
“Ne luftojmë për fëmijët tanë, për bashkëkombasit tanë ukrainas, për kombin tonë. Sepse unë mendoj se ajo që po bën Rusia tani është gjenocid ndaj ukrainasve. Dhe ukrainasit nuk kanë alternativë tjetër, por të fitojnë. Kjo është arsyeja pse ne luftojmë deri në fund. Lavdi Ukrainës”, thotë një ushtar ukainas.
“Ata përpiqen të na rrethojnë. Por kjo nuk do të thotë se ja dalin. Jemi me fat që kemi një komandant të shkathët, gjërat po shkojnë mirë. Kështu që jam i qetë duke e ditur se nuk do të jem i rrethuar”, thotë një tjetër ushtar ukrainas.
Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme dhe mungesës së ushqimit dhe ujit, disa banorë janë ende në këtë qytet.
“Sot është dita e nëntë që më ka vdekur motra. Ndihemi keq, nuk dimë asgjë. Nuk kemi ujë, asgjë, këtu po marr ujë shiu për të larë enët dhe duart”, thotë Emilia Budskaya, banore në qytetin Vuhledar.
Luftimet po vazhdojnë në Ukrainë pasi u mbush një vit nga fillimi i agresionit të Rusisë, ndërsa autoritetet ukrainase raportuan dhjetëra sulme ruse në qytetet në lindje dhe jug të vendit.
Sipas autoriteteve ukrainase përpjekjet e forcave ruse vazhdojnë të përqendrohen në lindjen dhe verilindjen industriale të Ukrainës.