Shefat e financave të ekonomive më të mëdha në botë dënuan me forcë Moskën për luftën e saj kundër Ukrainës të shtunën. Kina dhe vetë Rusia refuzuan të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët.
India, e cila si kryetare e radhës e Grupit të Njëzetëshes (G20) e organizoi takimin në qytetin e Bengalurusë, hezitoi ta ngrinte çështjen e luftës, por vendet perëndimore këmbëngulën se nuk mund të mbështesnin një përfundim nuk përfshinte denoncimin e luftës.
Mungesa e konsensusit të plotë midis anëtarëve të G20 bëri që India të nxirrte një "përmbledhje nga kryetari" në të cilën thjesht përmblodhi dy ditët e bisedimeve dhe vuri në dukje mosmarrëveshjet, në vend që të nxirrte një deklaratë.
"Shumica e anëtarëve dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë dhe theksuan se ajo po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore dhe po e rëndon edhe më tej brishtësinë ekzistuese në ekonominë globale," thuhej në përmbledhje, ku përmendej ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit, rreziqet për stabilitetin financiar dhe pasiguria e vazhdueshme në sektorët e energjisë dhe ushqimit.
"Kishte këndvështrime të tjera dhe vlerësime të ndryshme për situatën dhe sanksionet," vazhdon njoftimi, duke iu referuar masave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe të tjerët për të ndëshkuar Rusinë për agresionin dhe për të ndërprerë burimet financiare të saj.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen i tha më herët agjencisë Reuters se ishte "absolutisht e nevojshme" që çdo deklaratë të dënonte Rusinë. Dy pjesëmarrës i thanë agjencisë Reuters se Rusia dhe Kina nuk donin që platforma e G20 të përdoret për të diskutuar çështje politike.
Rusia, një anëtare e G20, por jo e G7, i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një "operacion special ushtarak.
India ka mbajtur një qëndrim kryesisht neutral, duke refuzuar të fajësojë Rusinë për agresionin, duke kërkuar një zgjidhje diplomatike dhe duke rritur ndjeshëm blerjet e naftës ruse.
Kina dhe India ishin ndër vendet që abstenuan të enjten kur OKB-ja votoi me shumicë dërrmuese për t'i kërkuar Moskës tërheqjen e trupave të saj nga Ukraina dhe ndalimin e luftimeve.
Përveç vendeve të G7, blloku i G20 përfshin gjithashtu vende si Australia, Brazili dhe Arabia Saudite.