Dhjetëra mijëra fëmijë ukrainas të ndikuar nga tragjedia e luftës

Alyssa Antyshchuk

Ushtari ukrainas Vitaly Antyshchuk humbi jetën gjatë një sulmi të Rusisë me raketa në rajonin e Zaporizhzhias në maj të vitit të kaluar. Ai la pas gruan e tij Yulia dhe vajzën e tyre 6 vjeçare Alyssa. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb u takua me ata në Varshavë, ku ata u zhvendosën për t'i shpëtuar luftës.

Your browser doesn’t support HTML5

Dhjetëra mijëra fëmijë ukrainas të ndikuar nga tragjedia e luftës

Yulia Antyschuk takoi bashkëshoritn e saj kur ata ishin fëmijë.

Pas mbarimit të universitetit, Julia dhe Vitaly u martuan. Ai filloi shërbimin ushtarak ndërsa Yulia filloi të jepte mësim. Më vonë lindi vajza e tyre Alyssa.

“Ai gjithmonë fliste me Alyssa-n, gjatë gjithë periudhës kur ajo ishte në barkun tim. Ai tha se ajo do të kishte sy si të tij, buzë si të miat. E mësoi të ishte sportive, të ngiste biçikletën. Ai nuk kishte asnjë pasion tjetër”, thotë ajo.

Dhe ai ishte gjithmonë mbrojtësi i Alyssa-s së vogël.

“Ai ishte i këndshëm. Më mbështeste, më përqafonte gjatë gjithë kohës, luante me mua dhe më mësoi se si të luftoja”, thotë 6 vjeçarja Alyssa.

Por familja e tyre u nda pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës.

Yulia dhe Alyssa kaluan 12 ditë në një bodrum ndërsa Vitaly luftonte për mbrojtjen e vendit të tij.

“Ajo filloi të vuante nga stresi dhe ankthi. Dhe ne vendosëm se do të ishte më mirë të shkonim në një vend ku ajo do të mund të bënte një jetë aktive, ku nuk do të kishte frikë dhe do të përmirësohej”, thotë Yulia.

Kjo është fotoja e tyre e fundit së bashku. Yulia dhe Alyssa shkuan në Varshavë, por më vonë Vitaly u vra në një sulm rus me raketa.

Alyssa, shumë e vogël për ta kuptuar plotësisht këtë luftë, u prek rëndë nga humbja e babait.

“Ajo është vazhdimisht në ankth, e stresuar dhe i mungon shumë babai. Ajo filloi të vizatonte fotografi të Vitaly-it që nuk qëndronte më pranë nesh, ku ai është sipër nesh. Dhe kur ajo më pyeti nëse ai do të kthehej, unë duhej t’i thosha jo. Kjo ishte shumë e vështirë”, thotë Yulia.

Yulia dhe Alyssa marrin mbështetje nga eskpert të shëndetit mendor në qendrën e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët në Varshavë. Alyssa mund të luajë atje me ukrainas të tjerë dhe të bisedojë me fëmijë që flasin gjuhën e saj.

Ata mbështeten nga fondacioni Fëmijët e Heronjve, një organizatë bamirëse që ndihmon fëmijët ukrainas që kanë humbur njërin ose dy prindërit e tyre në luftë. Presidenti dhe bashkëthemeluesi fondacionit, Dan Pasko thotë se Alyssa është një nga mijëra fëmijë ukrainas, të cilëve u janë vrarë prindërit në luftë.

“Mes 20 deri 50 mijë fëmijë janë në këtë situatë tani. Sot ne kemi 3488 fëmijë në programet tona mbështetëse dhe atyre po u bashkohen 50 fëmijë në ditë”, thotë ai.

Yulia thotë se lufta e ka kthyer të ardhmen e tyre, dikur kaq pozitive, në diçka të dhimbshme, pa Vitaly-n.

Ajo ende e mban unazën e martesës.

"E mbaj sepse nuk jam gati t’i them atij lamtumirë", thotë ajo.

Yulia thotë se synimi i saj kryesor është të mbajë në zemër kujtimet e lumtura të Alyssa-s për Vitaly-n, me shpresën se ata mund të kthehen së shpejti në vendin për të cilin ai dha jetën.