Finlanda njoftoi të enjten një paketë ndihme prej 169 milionë dollarësh për Ukrainën që përfshin tre tanke ‘Leopard 2’.
Ministria e Mbrojtjes e Finlandës njoftoi se paketa përfshin edhe programe instruktimi për përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Vendimi vjen një ditë pasi Spanja njoftoi se do të dërgonte gjashtë tanke ‘Leopard 2A4’.
Tanket e prodhimit gjerman janë pjesë e një vale tankesh që po dërgohen në Ukrainë mes thirrjeve të zyrtarëve për më shumë armatime.
Gjermania fillimisht i rezistoi thirrjeve për të dërguar vetë tanke të këtij lloji, si dhe bllokoi vendet e tjera që kishin tanke të prodhimit gjerman, ta bënin një gjë të tillë, mes shqetësimeve për përshkallëzimin e konfliktit. Por tashmë ka ndryshuar qëndrim duke u thënë aleatëve që se janë të lirë ta bëjnë një gjë të tillë.
Gjermania, Danimarka, Holanda do të dërgojnë tanke të vjetra e të riparuara në Ukrainë.
Të enjten ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se ekziston një mundësi reale që forcat ruse po përgatiten të nisin një ofensivë të re në zonën e Vuhledarit, në provincën Donetsk, “pavarësisht sulmeve të dështuara e që i kanë kushtuar shumë Moskës, të ndërmarra në fillim të shkurtit dhe në fund të vitit të kaluar”.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se komandanti i grupit të forcave ruse përgjegjës për operacionin e mundshëm "ka të ngjarë të jetë nën trysni të fortë për të përmirësuar rezultatet e Moskës në luftë, pas kritikave të ashpra nga grupet nacionaliste ruse, lidhur me dështimet e mëparshme".