Presidenti rus Vladimir Putin uroi të enjten ushtrinë me rastin e Ditës së Mbrojtësve të Atdheut, duke përshëndetur ata ushtarë rusë, që luftojnë në Ukrainë, në prag të njëvjetorit të luftës.
Trupat do të pajisen me armë dhe mjete moderne, tha zoti Putin, duke shtuar se Rusia po i kushton vëmendje të veçantë rritjes së arsenalit të saj bërthamor.
“Sikurse më parë, ne do t'i kushtojmë vëmendje të shtuar forcimit të arsenalit tokësor ajror e detar bërthamor”, tha zoti Putin
Komentet vijnë një ditë pasi Presidenti amerikan Joe Biden tha se presidenti rus bëri një "gabim të madh" duke pezulluar pjesëmarrjen e vendit të tij në traktatin e fundit të mbetur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për kontrollin e armëve bërthamore.
Komentet Presidenti Biden i bëri në Poloni gjatë një takimi me aleatët e krahut lindor të NATO-s të cilët i siguroi se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë tyre ndërsa agresioni rus në Ukrainë vazhdon.