Administrata Biden njoftoi të martën se nuk do t’u japë përgjithësisht azil, atyre imigrantëve që paraqiten në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, pa kërkuar më parë azil, në një nga vendet ku ata kanë kaluar. Kufizimet që propozohen duket se pasqyrojnë një përpjekje të ngjashme me administratën Trump, një urdhër ekzekutiv që nuk hyri kurrë në fuqi, pasi u bllokua në gjykatë.
Urdhri i administratës Biden, megjithëse nuk parashikon një ndalim total, propozon kufizime të ashpra për çdo vend tjetër, përjashtuar Meksikën, një vend në kufi me SHBA-në, imigrantëve të së cilës, nuk i duhet të udhëtojnë nëpër një vend të tretë, për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara.
Ajo që duket pothuajse e sigurt është se urdhri do të përballet me sfida ligjore. Presidenti Donald Trump ndërmori një veprim të ngjashëm në vitin 2019, por një gjykatë federale e apelit, bllokoi hyrjen në fuqi të tij. Përpara se të miratohen zyrtarisht rregullat kufizuese të administratës Biden lidhur me azilin, duhet fillimisht të përballen me opinionin e publikut për 30 ditë. Nëse miratohet, urdhri do të qëndrojë në fuqi për dy vjet.
Zyrtarët e administratës presin që rregullat e reja kufizuese të hyjnë në fuqi, pas përfundimit të afateve të një urdhri ekzekutiv të administratës Trump, që u refuzonte imigrantëve azilin si një masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Urdhri i njohur si ‘Titulli 42’, pritet të skadojë më 11 maj. Afatet e tij janë shtyrë dy herë për shkak të sfidave ligjore nga shtetet e udhëhequra nga republikanët.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe ai i Drejtësisë argumentuan se numri në rritje i migrantëve u ka lënë atyre pak zgjedhje. Zyrtarët parashikojnë që numri i kalimeve të paligjshme të rritet nga 11 mijë në 13 mijë në ditë nëse nuk ndërmerren masa pas skadimit të ‘Titullit 42’. Këto shifra janë edhe më e larta se 8600 kalime të paligjshme ditore në mes të dhjetorit, ndërsa në mesin e migrantëve dhe kontrabandistëve kishte pritshmëri se ‘Titulli 42’ ishte drejt skadimit. Por në një vendim të minutës së fundit, Gjykata e Lartë e mbajti atë në fuqi.
Sipas rregullit të propozuar nga administrata Biden, do t’i kundërshtohet kërkesa për azil cilitdo që kalon nëpërmjet një vendi tjetër, për të arritur në kufirin me SHBA-të, pa kërkuar më parë mbrojtje atje. Përjashtime do të bëhen në raste të “urgjencës mjekësore akute”, “kërcënimit të menjëhershëm dhe ekstrem” nga krime të dhunshme si vrasja, përdhunimi ose rrëmbimi, po kështu do të përjashtohen personat viktima të trafikut të qenieve njerëzore ose në rast “rrethanash të tjera jashtëzakonisht imponuese”. Urdhri përjashton gjithashtu edhe fëmijët që udhëtojnë vetëm.
Me këtë urdhër administrata u bën thirrje imigrantëve të mundshëm që të ndjekin rrugët ligjore për të aplikuar për azil, siç është përdorimi i aplikacionit ‘CBP One’, përmes të cilit, ata mund të caktojnë një takim për të aplikuar për azil, duke u paraqitur në një pikë hyrjeje kufitare. Administrata i quajti këto masa një mënyrë për të mbrojtur imigrantët nga udhëtimet e rrezikshme si dhe për t’u mundësuar pikave kufitare amerikane të menaxhojnë flukset e emigrantëve në një "mënyrë të sigurt dhe efikase". Por kritikët kanë thënë se aplikacioni ka probleme teknike dhe nuk është e qartë se sa takime janë të disponueshme çdo ditë.
Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se masa e propozuar të martën është e ndryshme nga ajo e zotit Trump, kryesisht për shkak se ka hapësirë për përjashtime dhe sepse administrata e Presidentit Biden ka vënë në dispozicion rrugë të tjera ligjore, sikurse qëndrimin e përkohshëm për arsye humanitare për ata që vijnë nga Kuba, Haiti, Nikaragua, Venezuela dhe Ukraina.
“Ne jemi një vend imigrantësh dhe një vend ligjesh. Ne po forcojmë qasjen tek rrugët ligjore e të rregullat për imigrantët për të ardhur në Shtetet e Bashkuara, e në të njëjtën kohë po propozojmë pasoja për ata që nuk i përdorin ato”, tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas.
Rregulli u përmend për herë të parë në fillim të janarit si pjesë e një njoftimi më të gjerë të administratës Biden për të lejuar 30 mijë imigrantë në muaj nga katër vende, Haiti, Venezuela, Kuba dhe Nikaragua, me kusht që ata të aplikojnë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara në vend se të mbërrijnë në kufi. Në javët pasuese, administrata Biden tha se numri i imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë shënoi një rënie drastike. Zyrtarët amerikanë e quajtën këtë një model të mirë për trajtimin e valës së madhe të imigrantëve.
Por mbështetësit e imigracionit kanë kritikuar përpjekjet për të kufizuar aplikimet për azil në kufirin jugor, duke thënë se disa imigrantë nuk mund të presin në vendet e tyre dhe se vendet e tjera nuk kanë të njëjtat mbrojtje azili si Shtetet e Bashkuara.
Senatorët demokratë Bob Menendez dhe Cory Booker nga Nju Xhërsi, Ben Ray Lujan nga Nju Meksiko dhe Alex Padilla nga Kalifornia, thanë se ishin "thellësisht të zhgënjyer" që administrata po mbështet këtë rregull dhe i kërkuan asaj që ta rishqyrtonte vendimin për këtë.
“Ne kemi detyrimin për të mbrojtur imigrantët e pambrojtur, bazuar në ligjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, dhe nuk duhet t'i lëmë të pambrojtur imigrantët e bllokuar në vendet që nuk kanë aftësinë për t’i mbrojtur ata”, thuhet në deklaratën e senatorëve demokratë.
Anu Joshi nga Unioni Amerikan i Lirive Civile, një organizatë që ngriti padi të shumta ligjore kundër kufizimeve ndaj imigracionit të vendosura nga ish-presidenti Trump, kritikoi ashpër rregullin, duke thënë se ai thjesht është një rikthim tek ndalimet ndaj azilit të vendosura gjatë mandatit të Presidentit Trump.
Rregulli i ri vjen në një kohë kur Presidenti Joe Biden po përballet me Dhomën e Përfaqësuesve, të kontrolluar nga republikanët, të cilët janë të vendosur ta shndërrojnë imigracionin në një çështje të rëndësishme, ndërsa ata përpiqen ta portretizojnë gjendjen në kufirin jugor si të dalë jashtë kontrollit.
Për azilkërkuesit që udhëtojnë në veri përmes Amerikës Qendrore dhe Meksikës për të arritur në kufirin amerikan, Kosta Rika dhe Meksika kanë sistemet më të forta të azilit. Megjithatë, këto dy vende janë mbingarkuar nga numri në rritje i kërkesave për azil në vitet e fundit.
Kosta Rika, një vend me vetëm 5 milionë banorë, ishte e katërta në botë për nga numri i kërkesave për azil, pas Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Meksikës, të marra në vitin 2021. Në dhjetor, presidenti i këtij vendi, Rodrigo Chaves lëshoi disa dekrete për ndryshime në sistemin e azilit, bazuar në pretendimin se sistemi i azilit në vendin e tij po abuzohej nga imigrantët ekonomikë. Shumica e atyre që kërkuan azil në Kosta Rikë në vitet e fundit janë individë nga Nikaragua që po ikin nga shtypja e qeverisë në atë vend. Në vitin 2012, Kosta Rika mori gati 900 kërkesa për azil. Vitin e kaluar, totali i tyre ishte rreth 80 mijë. Kjo ka krijuar një zvarritje të jashtëzakonshme të procesit të aplikimit për azil, duke detyruar shumë persona nga Nikaragua të udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar.
Meksika është përballur me kërkesa të shtuara për azil prej vitesh dhe vitin e kaluar ajo mori 118478 kërkesa të tilla, kryesisht nga Hondurasi, Kuba, Haiti dhe Venezuela. Shumë imigrantë e shfrytëzuan sistemin e azilit për të kaluar në mënyrë të ligjshme Meksikën në udhëtimin e tyre drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara.
Vendet e tjera përgjatë rrugës së imigrantëve drejt veriut kanë kapacitete shumë të kufizuara për pritjen e azilkërkuesve.