Bashkimi Evropian po shënon përvjetorin e parë të fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shqyrtuar vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Moskës. Sanksionet e mëparshme kanë vënë në shënjestër produktet si nafta, gazi, qymyri, çeliku, cigaret, vodka dhe ari. Por eksportet e diamanteve pritet të jenë sërish jashtë listës së sanksioneve të BE-së.
Your browser doesn’t support HTML5
Qyteti historik i Antverpit është larg fushëbetjave në Ukrainë.
Por, ai është i lidhur me konfliktin përmes diamanteve ruse.
Pothuajse të gjitha diamantet e papërpunuara të importuara në Bashkimin Evropian mbërrijnë në Antverp. Një e katërta e tyre zakonisht vijnë nga Rusia.
Ukraina ka kërkuar prej kohësh vendosjen e sanksioneve ndaj industrisë ruse të diamanteve, që sipas Kievit, po ndihmon në financimin e makinerisë luftarake të Moskës. Në qendër të vëmendjes është kompania e fuqishme e diamanteve Alrosa, e cila është pjesërisht në pronësi të qeverisë ruse.
Vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Londra vendosën sanksione ndaj importeve të diamanteve ruse. Por jo BE-ja.
Disa ligjvënës po bëjnë presion për ta ndryshuar këtë.
“Sektori i diamanteve në Antverp në të kaluarën ka udhëhequr përpjekjet kundër importimit të diamanteve nga zonat e luftës në Afrikë, të ashtuquajturit diamante gjaku. Dhe është shumë e rëndësishme që Antverpi të mbetet udhëheqës në përpjekje për të ndërprerë importimin e diamanteve ruse sepse edhe ato janë diamante gjaku”, thotë deputetja belge e Parlamentit Evropian, Kathleen Van Brempt.
Por industria e diamanteve në Antverp argumenton se vendosja e sanksioneve ndaj industrisë ruse të diamanteve do të çonte në humbjen e mijëra vendeve të punës dhe thjeshtë do ta eksportonte problemin.
“Nëse nuk shiten këtu, diamantet ruse do të shiten diku tjetër. Dhe ato do të mund të shiteshin në qendrat tregtare ku mungojnë ligjet kundër pastrimit të parave dhe ato kundër financimit të terrorizmit. Në Antverp, ligjet për këto çështje janë ndër më të ashprat në botë”, thotë Tom Neys, zëdhënës i Qendrës Botërore të Diamantit në Antverp.
Edhe kryebashkiaku i Antverpit është kundër ndalimit të importit të diamanteve ruse. Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për intervistë.
Por politikanët dhe udhëheqësit e industrisë së diamanteve në Antverp janë dakord për nevojën e krijimit të një sistemi ndërkombëtar për të gjurmuar diamantet ruse në anën tjetër të kufirit. Mediat thonë se Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera po diskutojnë mbi mënyrën se mund të funksionojë kjo.
Një organizatë hulumtuese beson se kjo është e mundur, por me disa përjashtime.
“Ne mendojmë se është e mundur të krijohet një organizatë monitoruese, por kjo do të kërkonte koordinim të madh dhe analizë teknike. Dhe pyetja është se kush do të duhet të jetë në bordin e saj dhe sa gjithëpërfshirëse do të duhet të jetë. Ekziston rreziku se eksportuesi e mëdhenj të diamantit mund të mos marrin pjesë në krijimin e një organizate të tillë”, thotë Filip Reyniers, Drejtor i Shërbimit Ndërkombëtar të Informacionit të Paqes.
Zyra e deputetes Van Brempt ka gjurmuar eksportet ruse të diamanteve, dhe mënyrat se si Moska po anashkalon sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe ato të vendeve të tjera.
Por ligjvënësja belge e Parlamentit Evropian ende beson se sanksionet e BE-së ndaj industrisë ruse të diamantit janë të rëndësishme, së bashku me një sistem gjurmimi të pagabueshëm për të ruajtur reputacionin e Antverpit si një qendër etike e diamanti.