Ekspertët parashikojnë që substancat psikodelike, apo substancat që shkaktojnë halucinacione, mund të shndërrohen në një industri miliarda dollarëshe për trajtimin e depresionit dhe traumës, pasi provat fillestare klinike që janë kryer në Shtetet e Bashkuara kanë ofruar rezultate premtuese.
E ardhmja e psikodelikëve në psikiatri apo substancave që shkaktojnë halucinacion, mund të shihet në zemër të Manhatanit, në qendrën e mirëqenies ‘Nushama’. Këtu, nën drejtimin e një mjeku, ketamina, një psikodelik i ligjshëm, u jepet pacientëve me doza të larta, për afërsisht 60 minuta. Cassandra, 40 vjeç, thotë se përfitimet që ka patur nga ky trajtim, janë më të mëdha sesa nga terapitë tradicionale.
Your browser doesn’t support HTML5
"Do të thoja se është shumë më efektive. Duke pasur parasysh që unë kam qenë në terapi për të paktën 20 vite rresht. Kam 13 muaj në Nushama dhe në këta 13 muaj, kam bërë më shumë përparim sesa në 20 vjet”, thotë ajo.
Në ‘Nushama’ përpara trajtimit me ketaminë kryhet një vizitë mjekësore, por disa ekspertë mendojnë se në qendra të tilla, nuk ka mbikëqyrje të mjaftueshme psikiatrike.
“Ekzsiston mundësia e rrezikut prej tyre. Ka qendra që nuk ofrojnë mbikqyrjen psikiatrike të nevojshme. Shumë trajtime kryhen nga anestezistë dhe specialistë të tjerë që nuk janë psikiatër", thotë doktor David Hellerstein, Profesor i Psikiatrisë, në universitetin e Kolumbias.
Zoti Hellerstein ka qenë pjesë e një studimi klinik të miratuar së fundmi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, i cili përfshiu 34 pacientë që vuanin nga depresioni. Ata u trajtuan me ‘psilokibin psikodelike’ një substancë që rrjedh nga kërpudhat halucinogjene.
"Dha rezultate për një numër të konsiderueshëm njerëzish, por jo për shumicën e tyre. Rreth 30 ose 40% u bënë më mirë dhe kryesisht vazhduan kështu", thotë doktor Hellerstein.
Por ai mendon se ka shumë arsye për suksesin e këtyre provave.
"Duket sikur ka një efekt, pavarësisht nëse është një efekt psikologjik, si nxitja e një përvoje shpirtërore apo mistike. Hipoteza tjetër është se funksionon në riorganizimin e rrjeteve të trurit dhe në fakt ristrukturimin e trurit dhe inkurajimin e asaj që quhet neurogjenezë, që nënkupton prodhimin e qelizave të reja të trurit", thotë doktor Hellerstein.
Por a mund të ketë kjo një ndikim në të ardhmen e psikiatrisë?
"Unë nuk e shoh këtë si fundin e psikiatrisë, unë e shoh këtë si një lloj substance, që do t'i shtohet paketës sonë të mjeteve që na ndihmojnë në këtë drejtim. Por mendoj gjithashtu se ka rreziqe që duhet realisht të studiohen, për t'u siguruar që ka njerëz nuk do të lëndoheshin apo do të vritesh duke marrë këto lloj barnash”, thotë doktor Hellerstein.
Tregu i substanca halucinogjene ka marrë shumë vëmendje.
“Ajo që shohim është se gjatë tre viteve të fundit janë investuar mbi një miliardë dollarë në kompani që merren me këto substanca”, thotë Elemer Piros, ekspert i Bioteknologjisë.
Zoti Piros beson se ky është vetëm fillimi i një industrie të re farmaceutike.
“Shitjet për barnat e miratuara mund të arrijnë mbi një miliard dollarë, të cilat mund të rriten gjatë pesë viteve të ardhshme ose në fillim të viteve 2030, në 10 miliardë dollarë”.
Dhe këto substanca duket se mund të ndihmojnë me miliona vetë në kushtet kur sipas Universitetit Johns Hopkins afërsisht 10% e amerikanëve në moshë të rritur, 18 vjeç e lart, vuajnë nga një formë e depresionit.