Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken uroi Kosovën në përvjetorin e pavarësisë, duke theksuar se këtë vit Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan “partneritetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane”.
Sekretari Blinken tha në mesazhin e urimit se përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, shumetnike dhe gjithëpërfshirëse.
Sekretari Blinken i shprehu mirënjohjen Kosovës për siç tha, pritjen bujare të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim.
Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken, i ka rrënjët në mirëkuptimin e ndërsjellë, vlerat dhe miqësinë mes popujve.
“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për përparësitë tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i përqendruar në njohjen përfundimtare të ndërsjellë, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt qëndrueshmërisë më të madhe rajonale dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken.
Lexoni edhe këtë Biden: Njohja e ndërsjellë do të siguronte të ardhme më paqësore dhe të begatë për Kosovën dhe SerbinëKosova shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, Serbia e mbështetur nga Rusia vazhdon ta kundërshtojë atë.
Diplomatët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian janë vënë në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje sipas një propozimi evropian nga frika se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan.
Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojnë në parim propozimin, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por sipas tij, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke e uruar presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç me rastin e ditës se shtetësisë serbe shprehu bindjen se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të cilin, tha ai, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise, do të sjellë siguri dhe begati për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Sekretari Blinken u shpreh i kënaqur që, siç tha, “dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit amerikan të Shtetit. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve tona të politikës së jashtme, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritet të qëndrueshëm”, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken dërguar presidentit serb, në të cilin ai i bëri thirrje Serbisë “të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë”.
Serbia e cila synon integrimet evropiane ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës, në radhë të parë për shkak të qëndrimit rus kundër pavarësisë së Kosovës.