Analisti Jams Ker-Lindsay, profesor në London School of Economics, tha në një bisedë më Zërin e Amerikës se mënyra më pak e dhimbshme për Kosovën që të arrijë një marrëveshje me Serbinë, është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Alternativa, sipas tij, do të ishte ndryshimi i kufijve etnik. Ai hodhi ndërkaq dyshimet që propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rruga e duhur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Intervista është redaktuar për të qenë më e qartë dhe e përmbledhur.
Zëri i Amerikës: Fuqitë perëndimore janë duke ushtruar trysni mbi Prishtinën dhe Beogradin për të arritur një marrëveshje në bazë të një propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Si e shihni ju propozimin?
James Ker-Lindsay: Shiko, të gjithë e dimë se duhet të arrijmë një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo është e qartë. Por, nga sa kuptoj për planin që është paraqitur, nuk mendoj se është një plan veçanërisht i mirë. Nuk mendoj se është mjaftueshëm ambicioz. Mendoj se thjesht mbulon problemin dhe ne nuk po e zgjidhim atë. Do të hasim në probleme të reja shumë shpejt sepse të dyja palët thjesht do të argumentojnë se pala tjetër nuk po bën atë që pritet dhe nuk do t'i japë Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare. Dhe unë jam shumë skeptik që do të shohim zbatimin e shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pra, pikëpamja ime është se ne duhet të shkojmë drejt marrëveshjes së plotë përfundimtare dhe kjo do të thotë që Serbia të njohë Kosovën, Kosova të krijojë një asociacion kuptimplotë të komunave dhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara t’u ofrojnë Serbisë dhe Kosovës shumë stimuj të tjerë për të tejkaluar problemin. Unë mendoj se duhet të bëjmë diçka shumë më krijuese, shumë më ambicioze për të provuar dhe zgjidhur këtë problem. Thjesht mendoj se kjo, e ashtuquajtura marrëveshje është vetëm një leukoplast. Nuk po zgjidh asgjë dhe pas 15 vitesh na duhet një zgjidhje e duhur tani.
Zëri i Amerikës: Por tani në tryezë është vetëm ky propozim dhe Bashkimi Evropian e cilësoi si një mundësi historike për të dyja palët. Çfarë mund të bëjnë tani Kosova dhe Serbia?
James Ker-Lindsay: Kushdo që e përshkruan këtë si një mundësi historike, dua të them që nuk është. Është fare qartë një leukoplast. Nuk po e zgjidh problemin themelor dhe është shumë, shumë zhgënjyes. E di që Bashkimi Evropian i ka duart e zëna me Ukrainën dhe e di se kjo është arsyeja pse dëshiron të përpiqet të bëjë disa ose të japë përshtypjen e një lëvizjeje për Serbinë dhe Kosovën. Por, a është me të vërtetë kjo më e mira që mund të arrijmë pas 15 vitesh? Dhjetë vjet më parë, Marrëveshja e Brukselit ishte shumë më e avancuar. Kjo nuk është duke ofruar asgjë me sa mund të shoh. Dhe mendoj se për të arritur një marrëveshje do të duhet trysni, pa dyshim. Por, në vend që të ushtrohet trysni mbi palët për të pranuar një marrëveshje shumë të dobët, që nuk do t'i pëlqejë askujt, atëherë me siguri do të kishte qenë më mirë të përdorej ajo trysni për të bindur kryeministrin (Albin) Kurti, për të bindur presidentin (Aleksandar) Vuçiç të shkojnë deri në fund dhe t’i thuhet Serbisë shiko, e kuptojmë pse jeni të zemëruar për atë që ndodhi në Kosovë, por kuptojeni çfarë ndodhi dhe ka arsye të mira për të argumentuar se Kosova, sinqerisht duhet të ishte bërë e pavarur si republikat tjera (të ish Jugosllavisë). Ndërsa Kosovës t’i thuhet, ju dëshironi të jeni anëtar i Kombeve të Bashkuara. Ju udhëhiqeni nga një parti që flet për vetëvendosje; dhënia e së drejtës për vetëvendosje për pakicat, duke përfshirë autonominë e duhur, është një parim themelor i Kombeve të Bashkuara. Pra, nëse jeni vërtet për vetëvendosje, provojeni atë, bëni atë që duhet bërë. Jo për shkak të Serbisë, por sepse është gjëja e duhur që ta bëjë Kosova. Pra, mendoj se të dyja palëve duhet t'u thuhej shumë qartë se duhet të bëjnë lëshime për të zgjidhur këtë problem. Serbia të njohë Kosovën, ndërsa Kosova, t'u jap serbëve autonomi kuptimplotë. Dhe atëherë, të dyja vendet mund të ecin përpara dhe kjo nuk është ajo që ne po e shohim me këtë marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Kosova është nën trysni posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si duhet të veprojë Kosova?
James Ker-Lindsay: Mendoj se është gjëja e duhur për të bërë. Ne duhet të pranojmë që Kosova, pas 15 vjet përpjekjesh, ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Dhe realiteti është se ajo duhet të marrë njohje të plotë ndërkombëtare, duhet të bëjë diçka për të arritur marrëveshjen me Serbinë për këtë dhe asociacioni është ndoshta mënyra më pak e dhimbshme për ta arritur këtë. Alternativa, dhe do të jem vërtet i sinqertë, është ndryshimi i kufijve etnik, për të cilin është folur. Nëse Kosova nuk dëshiron ta pranojë këtë, atëherë gjëja më e mirë që mund të bëjë është të thotë se ne do t'i ruajmë kufijtë, natyrisht, por ne do t'u japim serbëve autonomi kuptimplotë. Dhe në këtë pikë më duhet të them se gjithnjë flitet se do të krijohet një tjetër Republikë Serbe. Kjo është e pakuptimtë. Republika Serbe është një model shumë i veçantë i autonomisë që u krijua në një situatë shumë të ndryshme, ku serbët ishin një përqindje mjaft e madhe e popullsisë në Bosnje dhe u bë për të ndaluar një luftë shumë brutale. Askush, askush nuk flet për Republikë Serbe në Kosovë. Sinqerisht, mendoj se disa nga njerëzit në Kosovë po e kundërshtojnë atë, sepse nuk e kuptojnë që nuk është Republika Serbe. Mendoj se ka edhe shumë njerëz të tjerë, veçanërisht nga jashtë, të cilët po flasin për këtë sepse duan të shkaktojnë telashe. Milorad Dodik po e bën këtë sepse dëshiron të shkaktojë telashe. Dhe ai e di se nuk ka gjë nga kjo. Askush nuk po flet për krijimin e Republikës Serbe në Kosovë dhe nuk është e dobishme ta paraqesësh atë si të tillë.
Zëri i Amerikës: Të dyja palët thanë se janë të gatshme të bisedojnë në bazë të propozimit evropian, por kryeministri Kurti vuri kushte për Asociacionin, ndërsa pati diskutime në Serbi për mundësinë që presidenti serb Vuçiç mund të organizojë zgjedhje të reja për të blerë kohë. Sa mund të pengojnë këto çështje procesin.
James Ker-Lindsay: Shikoni, diskutimet për zgjedhjet në Kosovë dhe Serbi janë gjithmonë aty, duket se ne gjithmonë flasim për zgjedhjet kështu që nuk e di nëse jam i bindur për këtë. Por, sigurisht që me zotin Kurti kjo është vendosje e kushteve zvarritëse. Dua të them se realiteti është të zbresim në problemin themelor. Në mënyrë që Kosova të ketë njohje të plotë ndërkombëtare, duhet ta bindë Serbinë të nënshkruajë. Kjo nënkupton që Kosova të thotë, në rregull kjo është ajo që ne jemi të gatshëm të bëjmë. Por nëse ai thotë ne nuk do ta bëjmë Asociacionin, atëherë Serbia nuk do të nënshkruajë. Dhe sinqerisht, Serbia është anëtare e OKB-së, do të jetë e dhimbshme nëse nuk do yë përparojë por nga ana tjetër zoti Kurti është ai që do të duket më keq dhe komuniteti ndërkombëtar është i ngopur me këtë. Kështu mendoj se zoti Kurti do të jetë ai që do të fajësohet nëse kjo nuk funksionon. Nëse ai fillon të vendosë kushte shtesë. Bëjeni Asociacionin se sepse është gjëja e duhur për ta bërë. Në fund të fundit, siç kam thënë, mendoj se ky është një propozim shumë i keq, sepse ne duhej t'i kishim lidhur të gjitha këto. Ne duhet ta kishim bërë lidhjen e asociacionit me njohjen dhe mendoj se diplomatët mund të kishin bërë trysni mbi Serbinë dhe mbi Kosovën për të arritur marrëveshjen përfundimtare.