Turqia dhe Siria vazhdojnë të përballen me pasojat e tërmetit

  • Dorian Jones

Turkey earthquake

Ka kaluar një javë që kur tërmetet e dyfishta shkatërruese goditën rajonin në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë. Me mbi 30 mijë të vrarë dhe qindra mijëra të tjerë të pastrehë, rajoni i goditur nga tërmeti vazhdon të jetë i përfshirë nga një krize humanitare në rritje.

Shumë të mbijetuar nga tërmeti vazhdojnë pritjen e dhimbshme për të dashurit e tyre, që ende ndodhen nën rrënojat e ndërtesave të shembura, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur më shumë të mbijetuar.

“Dy nga të afërmit tanë janë nën rrënoja. Ende nuk kanë mundur t'i nxjerrin. Jemi duke pritur dhe nuk e dimë nëse janë gjallë apo të vdekur, por tani shumica e trupave që po nxirren nga rrënoja janë pa shenja jete. Disa dalin të gjallë, por jo shumë. Zoti nuk duhet të lejojë që dikush të përjetojë një gjë të tillë”, thotë Selimi, i cili i ka mbijetuar tërmetit.

Gjashtë ditë pas tërmetit, një ekip amerikan i kërkim-shpëtimit nxori nga rrënojat një të mbijetuar, në kuadër të përpjekjeve globale në rritje për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Por me mbi shtatë mijë ndërtesa të shkatërruara dhe shumë të tjera të pabanueshme, strehimi i të mbijetuarve është një çështje kritike për rajonin, që po përballet me temperatura nën zero.

Për shumë njerëz, mungesa e ngrohjes është një sfidë e përditshme.

“Kam aplikuar, por askush nuk më ka dhënë një çadër. Unë kujdesem për fëmijët jetimë. Pjesa e përparme e shtëpisë sime është e plasaritur, kemi frikë të kthehemi atje. Për t’u mbrojtur nga i ftohti ne jemi strehuar në ndërtesa me ngrohje si xhamitë, shkollat dhe shtëpitë tradicionale, që përdoren për rastet e vdekjeve", thotë Zeki, i cili i ka mbijetuar tërmetit.

Shumë fshatra të largëta, ku temperaturat bien në minus 20 gradë Celsius, sapo kanë filluar të marrin ndihma, në shumë raste falë organizatave humanitare lokale.

Edhe Siria fqinje sapo ka filluar të marrë ndihma.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se ndihma është shumë e nevojshme në provincën e Idlibit, të kontrolluar nga rebelët, e cila u shkatërrua nga tërmetet.

“Vonesa në qasjen tek ndihmat humanitare që transportohen përmes kufirit e thellojnë krizën që po rëndon njerëzit atje. Këto furnizime kritike janë duke u mbaruar. Edhe furnizimet logjistike për mbrojtjen civile po mbarojnë, duke përfshirë naftën për pajisjet dhe makinat që përdoren për evakuimin e njerëzve”, thotë Souhaib Touliamat nga Agjencia e Ndihmës ATAA.

Në Turqi, ndihma ndërkombëtare po rritet ndërsa qeveria përballet me kritika për reagim të ngadaltë ndaj katastrofës.

Ata që ndodhen në qendrat e strehimit mendojnë për realitetin e dhimbshëm me të cilin po përballen.

“Ne po qëndrojmë me katër familje në këtë çadër. Nuk kemi ngrohje, nuk kemi asgjë. Ju mund të shihni gjithçka që kemi”, thotë kjo grua, e cila nuk pranoi të jepte emrin e saj.

Të mbijetuarit në Turqi dhe Siri përballen me perspektivin e rindërtimit pa asgjë, në një kohë kur një numër i madhe i tyre janë të pikëlluar nga humbja e familjarëve të tyre.