Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka marrëdhënie të ngushta personale me Presidentin Vladimir Putin. Por në të njëjtën kohë, Izraeli ka ofruar vetëm ndihma humanitare në shkallë të gjerë për Ukrainën, ndërsa ky vend vazhdon të mbrohet nga agresioni rus. Balancimi i marrëdhënieve me të dy palët përbën një sfidë për qeverinë e re izraelite.
Your browser doesn’t support HTML5
Izraeli do të dërgojë në Ukrainë 17 gjeneratorë me fuqi të lartë, dërgesa e fundit e një programi të gjerë ndihmash humanitare ku përfshihen një spital i madh fushor, qendra refugjatësh në Moldavinë fqinje, dhe rehabilitimi i ushtarëve të plagosur në spitalet izraelite.
Simona Halperin, zëvendësdrejtoreshë në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, i tha Zërit të Amerikës se vendi i saj po jep ndihma të mëdha humanitare për Ukrainën:
“Izraeli e ka përqendruar të gjithë ndihmën e vet ndërkombëtare, që është në 140 vende të botës, drejt Ukrainës. Është e rëndësishme të thuhet se që nga ajo kohë, është tre herë më shumë se buxheti i përgjithshëm i Izraelit për zhvillimin, bashkëpunimin dhe ndihmat ndërkombëtare”.
Por udhëheqësit ukrainas po ushtrojnë trysni ndaj komunitetit ndërkombëtar, përfshirë qeverinë e re izraelite, që të dërgojnë më shumë ndihma ushtarake.
Yevgen Korniychuk, ambasador i Ukrainës në Izrael, thotë për Zërin e Amerikës se Kievi është i zhgënjyer nga qëndrimi aktual i Izraelit:
“Nuk mund ta fitojmë luftën me fasha dhe antibiotikë. Kemi nevojë për armë që të mbrojmë jetët e ukrainasve. Jemi të zhgënjyer nga qëndrimi aktual i Izraelit. Po përpiqem të jem optimist kur flitet për ndryshimin e këtij qëndrimi nën trysninë e udhëheqjes ukrainase, evropiane dhe amerikane. Është e domosdoshme që Izraeli të jetë në anën e duhur të historisë”.
Për të shmangur konfliktin me Rusinë, Izraeli ka refuzuar të dërgojë pajisje ushtarake në Ukrainë.
Izraeli shprehu shqetësime se Rusia, e cila kontrollon hapësirën ajrore mbi Sirinë fqinje, mund të bllokojë sulmet ajrore izraelite ndaj autokolonave me armë iraniane, që kalojnë nëpër Siri për të furnizuar grupin Hamas.
Disa analistë mendojnë se përfshirja e Izraelit në përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën, do t’u shërbente më mirë interesave strategjike të Izraelit.
“Kryeministri Netanyahu ka marrëdhënie shumë të mira me Putinin, dhe në thelb ishte ideatori i politikës për zbutjen e konfliktit në Siri. Por ai duhet ta kuptojë se nëse dëshiron që administrata e Presidentit Biden ta ndihmojë në dy objektivat e tij, Iranin dhe Arabinë Saudite, ai duhet ta ndihmojë ushtarakisht Ukrainën”, thotë Amos Yadlin me Universitetin e Harvardit.
Populli izraelit e mbështet Ukrainën përballë agresionit rus. Izraeli e ka ftuar për vizitë zonjën e parë ukrainase Olena Zelenska për të mësuar dhe përshtatur programet izraelite të shëndetit mendor për viktimat e traumës.