Kryeministri maqedonas dorëzon në parlament emrat e kandidatëve për ministra

  • Isak Ramadani

Godina e parlamentit të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i dorëzoi të shtunën parlamentit listën me emrat e kandidatëve për ministra dhe zëvendës-ministra pas marrëveshjes me Aleancën për Shqiptarët për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar. Parlamenti do të mblidhet të hënën për miratimin e kabinetit të riformatuar. Kjo gjë pritet të krijojë qëndrueshmëri në shumicën parlamentare, por përsëri do të ketë vështirësi, sipas analistëve, lidhur me arritjen e dy të tretave sa herë që të paraqitet nevoja në parlament.

Your browser doesn’t support HTML5

Kryeministri maqedonas dorëzon në parlament emrat e kandidatëve për ministra

Aleanca për Shqiptarët (ASh) do të drejtojë tre ministri: Krenar Lloga, deri tash anëtar i Komisionit Shtetëor të Zgjedhjeve do të jetë Ministër i Drejtësisë, mjeku neurolog Fatmir Mexhiti do të jetë Ministër i Shëndetësisë dhe Azir Aliu propozohet për Ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

ASh do të ketë dy zëvendësministra në kabinetin e riformatuar; atë të Mbrojtjes dhe të Bujqësisë.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate (LSDM), e cila lë postin e ministrit të Drejtësisë, merr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vendin e ministrit të Ambientit Jetësor. Këtë dikaster do ta drejtojë Kaja Shukova, deri tash Sekretare Shtetërore po në këtë ministri.

BDI, ndërkohë merr postin e Zëvendës-ministrit të Arsimit, ku do të ketë hierarkinë më të lartë drejtuese, me që vetë Ministri Jeton Shaqiri është nga radhët e kësaj partie.

Partia Alternativa mbetet me një ministër në kabinet, nga tre që ka aktualisht. Xhemail Çupi do të vazhdojë të mbetet në krye të Ministrisë për Diasporën, nëse partia vazhdon të mbetet në qeveri. Alternativa ka thirrur një takim për nesër ,për të vendosur lidhur me hapat e mëtejshëm, ndërkohë që njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se ajo do të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit ekzekutiv edhe pse e përulur para partnerëve politikë. Alternativa me tre deputetë në parlament, meqenëse i katërti kaloi si i pavarur, kishte tre poste ministrore.

Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët, e cila deri para pak javësh ishte kritike më e zëshme ndaj politikave qeveritare, teksa akuzonte eksponentë të BDI-së për korrupsion dhe krim, tani thotë se po bëhet pjesë e qeverisë për të prodhuar vlera dhe rezultate për të mirën e qytetarëve dhe të ekonomisë, demokracisë e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Aleanca nuk mendon se me hyrjen në qeveri do t’i bjerë mbështetja nga elektorati.

Kjo shumicë e re parlamentare që synon t’i afrohet numrit të dy të tretave në parlament, megjithatë nuk do ta arrijë këtë. ASh ka tetë deputetë, por tre ligjvënës të pakënaqur të BDI-së duket se nuk do t’i përfillin më politikat e partisë për shkak të përplasjeve të brendshme; këtij grupi i është bashkuar edhe një deputet i pavarur. Ekzistojnë gjithashtu edhe paqartësitë lidhur me të ardhmen e Alternativës, e cila ka tre ligjvënës në parlament.

Ndonëse, të gjithë ligjvënësit shqiptarë e mbështesin rishikimin e Kushtetutës, pjesë e të cilës duhet të bëhet pakica bullgare, një kusht ky i paraqitur nga vetë Bashkimi Evropian për vazhdimin e rrugës së integrimit të vendit ballkanik drejt BE-së, pa votat e VMRO-së opozitare maqedonase sidoqoftë nuk arrihen dy të tretat e tetëdhjetë votave të nevojshme për këto ndryshime.