Diplomati rus: Marrëdhëniet me Uashingtonin, në një krizë të pashembullt

Sergei Ryabkov

MOSKË – Marrëdhëniet Rusi-SHBA janë përfshirë nga një krizë e pashembullt dhe nuk ka ndonjë shenjë për përmirësim, tha të enjten një diplomat i lartë rus.

Zëvendës Ministri i Jashtëm Sergei Ryabkov tha se rëndësia që Shtëpia e Bardhë i kushton rritjes së furnizimit me armë për Ukrainën, për t’u siguruar që Rusia të humbasë luftën, nuk lë asnjë hapësirë për diplomacinë.

“Nuk shikoj asnjë perspektivë për një proces frytdhënës politik dhe diplomatik”, tha zoti Ryabkov gjatë një seance informimi. “Kemi një krizë shumë të thellë dhe të pahasur më parë në marrëdhëniet Rusia-SHBA. Administrata Biden i ka orientuar drejt ngërçit”.

Zoti Ryabkov paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të vlerësojnë me kujdes rreziqet që vijnë nga furnizimi i Ukrainës me armë gjithnjë e më të fuqishme perëndimore.

“Amerikanët duhet të vlerësojnë në detaj dhe në thellësi rreziqet e lidhura me kursin e tyre flagrant në mbështetje (të Ukrainës)”, tha ai.

Zoti Ryabkov vuri në dukje se Moska nuk u beson deklaratave të Perëndimit për ushtrimin e një vetë-kufizimi për gamën e armëve që i dërgohen Ukrainës, me qëllim shmangien e përshkallëzimit. Ai shtoi se garanci të tilla në të kaluarën kanë shërbyer si mbulesë për një zgjerim të vazhdueshëm të shumëllojshmërisë së armëve që dërgohen.

“Nuk shikojmë ndonjë shenjë logjike nga asnjë nga kryeqytetet e vendeve të NATO-s dhe të BE-së”, tha zoti Ryabkov. “Ajo që po bëjnë nuk do të forcojë sigurinë e tyre”.

Ai hodhi poshtë qëndrimin amerikan se refuzimi nga Rusia për të lejuar rifillimin e inspektimeve të objekteve të saj bërthamore është një shkelje e traktatit të ri START, që është marrëveshja e fundit që ka mbetur në fuqi mes dy vendeve për kontrollin e armëve bërthamore.

Traktati i ri START, i nënshkruar në vitin 2010 nga Presidenti Barack Obama dhe Presidenti rus Dmitry Medvedev, kufizon sasinë e armëve bërthamore të secilit vend në jo më shumë se 1550 mbushje bërthamore dhe 700 raketa dhe bombardues bërthamorë. Marrëveshja parashikon inspektime të gjera në terren për të verifikuar zbatimin e saj.

Vetëm pak ditë përpara se traktati të skadonte në shkurt 2021, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakort ta zgjasin vlefshmërinë e tij edhe për pesë vite të tjera.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara patën pezulluar inspektimet e ndërsjellta bazuar në marrëveshjen e re START që nga fillimi i pandemisë COVID-19, por Moska refuzoi në vjeshtë që të lejojë rifillimin e tyre, duke krijuar kështu pasiguri për të ardhmen e këtij traktati. Rusia gjithashtu ka shtyrë pa afat një raund konsultimesh të planifikuar në traktat.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se refuzimi i Rusisë për të lejuar inspektimet “ua ndalon Shteteve të Bashkuara ushtrimin e të drejtave të rëndësishme sipas traktatit dhe kërcënon vazhdimësinë e kontrollit të armëve bërthamore SHBA-Rusi”.

Të enjten, zoti Ryabkov këmbënguli se Rusia ka vazhduar të zbatojë traktatin dhe shkëmbimin e informacionit siç parashikohet në traktat. “E zbatojmë traktatin dhe përmbushim kushtet e tij”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, ai rikonfirmoi pikëpamjen e Moskës se rifillimi i inspektimeve nuk është i mundur në mjedisin aktual.

Komentet e zotit Ryabkov pasuan një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse ku thuhej se ishte e pamundur të vazhdohej me praktikat e zakonshme të punës me Uashingtonin në një kohë kur “Shtetet e Bashkuara kanë filluar një luftë totale hibride ndaj Rusisë, që shoqërohet me rrezikun real të një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake mes dy fuqive bërthamore”.

Deklarata ruse thotë se kërkesa e Uashingtonit për të rifilluar inspektimin e objekteve bërthamore ruse tingëllon “cinike” pas një serie sulmesh me dronë nga Ukraina ndaj bazave ajrore ruse ku gjenden avionë bombardues bërthamorë, sulm për të cilin ministria ruse thotë se u mbështet tek të dhënat e zbulimit amerikan.

Zoti Ryabkov, i cili u takua rishtazi me ambasadoren amerikane në Moskë, Lynne Tracy, tha gjithashtu se Ministria e Jashtme ruse i ka dorëzuar ambasadës amerikane një notë zyrtare proteste, ku akuzohet se përdorimi i rrjeteve sociale nga ambasada është ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë.