Zelenskyy: disa udhëheqës të BE-së të gatshëm t'i japin avionë Ukrainës 

Zelenskiy addresses European Parliament in Brussels

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se disa udhëheqës të bllokut evropian kanë shprehur gatishmërinë që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë. Ai u takua sot në Bruksel me udhëheqësit e BE-së, në përfundim të një turneu në disa kryeqytete evropiane. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen tha se masat e reja kundër Rusisë, që pritet të miratohen së shpejti, përfshijnë kufizime shtesë ndaj udhëheqësve politikë dhe ushtarakë rusë si dhe do shënjestrojnë propagandistët e presidentit Putin.

Your browser doesn’t support HTML5

Zelenskyy: disa udhëheqës të BE-së të gatshëm t'i japin avionë Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u prit me duartrokitje të enjten nga udhëheqësit evropianë gjatë një takimi të BE-së në Bruksel.

Ai është në fund të një turneu tek mbështetësit e tij të mëdhenj evropianë, duke kërkuar garanci se Ukraina një ditë mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Presidenti Zelenskiy pritet të kthehet në Kiev me optimizëm dhe zotime për më shumë ndihmë ushtarake. Gjatë takimit të Këshillit Evropian, zoti Zelenskiy tha se Evropa nuk mund të jetë e lirë pa një Ukrainë të lirë.

Pas takimit, ai tha se disa udhëheqës të BE-së kanë treguar gatishmëri t’ia plotësojnë kërkesën e fundit për ndihmë ushtarake Kievit.

“Jam i frymëzuar nga deklaratat tuaja se do jeni me ne ...e kam dëgjuar këtë nga udhëheqës të tjerë evropianë. Jam i lumtur që jeni zotuar për më shumë armatime, përfshirë aeroplanë luftarakë”, tha presidenti ukrainas gjatë konferencës së përbashkët me presidentët e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zonja Von Der Leyen paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do bëhet propozimi i pakos së dhjetë të sanksioneve kundër Rusisë.

“Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin e shkaktuar dhe gjakun e derdhur. Gjatë ditëve në vijim do vendosim sanksione ndaj disa udhëheqësve politikë dhe ushtarakë, por gjithashtu i nderuari Volodymyr, kemi dëgjuar me kujdes mesazhet tuaja në Kiev pasi ne do shënjestrojmë propagandistët e Putinit, pasi gënjeshtrat e tyre janë duke helmuar hapësirën publike në Rusi dhe gjetkë”, tha zonja von der Leyen.

Lexoni edhe këtë Presidenti ukrainas Zelenskiy vazhdon vizitat në kryeqytetet evropiane

Mbrëmë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua në Pallatin Elysee në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Që nga fillimi i kësaj lufte të tmerrshme, Evropa dhe miqtë tanë transatlantikë jo vetëm që kanë qëndruar afër Ukrainës, ne gjithashtu i kemi ofruar mbështetje masive Ukrainës. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Presidenti Macron dhe unë do ta sigurojmë Presidentin Zelenskyy për këtë sërish në Paris”, tha kancelari gjerman, Sholz pas takimit.

Vizita shënon një kthesë në marrëdhëniet me Francën dhe Gjermaninë, dy vende për të cilat banorët në Ukrainë ishin ankuar se nuk po bënin sa duhet për të ndihmuar.

Përpjekjet e zotit Zelenskyy për më shumë ndihmë ushtarake perëndimore po bëhen ndërsa po shtohen provat se ofensiva e parashikuar e Rusisë rreth përvjetorit të agresionit po fillon të marrë formë.

Të mërkurën, pas takimeve në Londër, presidenti ukrainas ka marrë zotimin e Britanisë për të trajnuar pilotët ukrainas për avionët luftarakë të avancuar të NATO-s.