Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politikë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Ai i bëri këto komente para fillimit të takimit të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian të cilëve tha se do t’u raportojë për procesin.
“Propozimi është në tryezë. I thërras të dy udhëheqësit (të Kosovës dhe Serbisë) të vijnë në Bruksel, së shpejti, për disa javë, që përfundimisht ta çojmë përpara këtë propozim”, tha zoti Borrell.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së miratuan përfundime rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi dhe propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Në tekstin e përfundimeve thuhet se “në dritën e tensioneve të fundit në veriun e Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Këshilli Evropian, thuhet më tej, “mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët”. Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve “që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në tekstin e përfundimeve.
Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t'i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje mbi atë propozim, që nuk përfshin njohjen e ndërsjellë, por përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.
Diplomatët thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.
Kosova dhe Serbia thanë se e pranojnë propozimin evropian.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç një javë më parë raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke vënë theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.
Lexoni edhe këtë Vuçiç: Perëndimorët kërcënuan me pasoja nëse nuk nënshkruajmë marrëveshje me KosovënKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Deklarimet e tij u shndërruan të enjten në temë debatesh në parlamentin e Kosovës.
Lexoni edhe këtë Kurti: E pranojmë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me SerbinëLidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës e akuzuan kryeministrin Kurti se përmes pranimit të propozimit evropian po heq dorë nga njohja e ndërsjellë.
Kryeministri Kurti tha se propozimin evropian e ka pranuar në parim për të diskutuar më tutje dhe se nuk ka ende marrëveshje përfundimtare.
“Nuk është finale, është sërish një kornizë, është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, që ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht obliguese, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na duhet”, tha kryeministri Kurti duke nënvizuar se marrëveshje përfundimtare pa njohje të ndërsjellë s’mund të ketë.
“Janë dy përgjigje bukur shqetësuese, e para, se ke pranuar që nga një marrëveshje finale ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme të pranosh marrëveshje në parim që nuk është bazë dhe kjo është devijim i rëndë i procesit të dialogut dhe e dyta sapo pranove që po negocion për një marrëveshje që nuk e ka njohjen në të, sërish një devijim bukur i rëndë i procesit dialogues”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Nëse nuk ka marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë dihet që kot je duke shkuar në dialog, kot je duke u angazhuar edhe kot je duke u marr me këtë punë. Duhet me pas përfundim. Me kriju edhe një status quo të re është për të bërë asgjë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Por, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në opozitë tha se partia e tij e mbështetë propozimin evropian.
“Amerika ju thotë të gjithëve juve që ju përkrahi për Partneritet për Paqe, tani nëse ne i themi qeverisë tonë se nuk ta pranojmë pa njohje reciproke, matuni mirë se çfarë po ju thoni, pra matuni mirë nëse i thoni kështu. Nuk i kemi thanë Hashim Thaçit në 2013 nuk ta pranojmë pa njohje reciproke, nuk ju kemi thënë as tjerëve dhe kemi ecë deri këtu ku jemi. Si po e menaxhon dialogun qeveria këtu mund të hyjmë në kritikë edhe ka vend për shumë kritikë si po e menaxhon si për transparencë, si për situatën qysh po e shpjegon se kur është sekuencimi e përralla tjera. Për mua dhe për Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës është i pranueshëm propozimi franko-gjerman. I kërkoj kësaj qeverie që ta pranojë dhe të mos vonohet”.
I gjetur nën trysninë ndërkombëtare për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Kurti ritheksoi sot qëndrimin se marrëveshja për këtë çështje nuk mund të jetë parakusht e as në qendër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të mospajtimeve ndërmjet të dyja palëve që mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon, në një periudhë kur kontinenti po përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.