Në një seancë të nxehtë përpara Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, republikanët pretenduan se kompania Twitter bashkëpunoi me zyrtarë qeveritarë dhe mediat për të mos lejuar postimin e një artikulli të New York Post-it mbi përmbajtjen e kompjuterin, dy javë përpara fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj ish-presidentit republikan Donald Trump.
Tre ish-drejtues të Twitterit, thanë në dëshminë e tyre se ata gabimisht kishin menduar se artikulli përmbante materiale të hakeruara, por se anuluan vendimin e tyre për të kufizuar qarkullimin e tij në platformën e mediave sociale brenda 24 orëve.
Me seancën e tyre, Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve po përpiqen të përmbushin një premtim të fushatës.
Para fillimit të procedurave, Shtëpia e Bardhë e denoncoi seancën si “një taktikë të çuditshme politike” të motivuar nga refuzimi i fitores së zotit Biden në vitin 2020.
Gjatë fjalimit në Kongres një ditë më parë mbi gjendjen e vendit, Presidenti Biden ofroi të bashkëpunonte me republikanët në disa prej problemeve më të rëndësishme në vend.
Avokati i zotit Hunter Biden, Abbe Lowell, ka mohuar përmes një deklarate çdo lidhje midis klientit të tij dhe asaj që ai e quajti "të ashtuquajturin laptop", përfshirë dokumentet e gjetura në të, për të cilat republikanët “pretendojnë se janë të dhëna personale të zotit Biden”.
Seanca dëgjimore shënon procedurat e para publike të një hetimi mbi marrëdhëniet e biznesit të familjes Biden. Kryetari i komisionit, James Comer, e ka akuzuar zotin Hunter Biden për shfrytëzimin e ndikimit politik të babait të tij për përfitime biznesi.
“Kjo duket të jetë përpjekja më e fundit e anëtarëve më ekstremë të MAGA-s për të vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams.
Procedurat u përqëndruan në vendimin e rrjetit Twitter për të bllokuar përkohësisht në platformë një artikull të gazetës New York Post për laptopin në fjalë. Ish-drejtuesit e rrjetit Twitter thanë se gabimisht besuan se artikulli përbante të dhëna të hakeruara që bien në kundërshtim me rregulloret e platformës.
Republikanët e cilësuan vendimin si pjesë e një komploti për të bllokuar lajmet për zotin Hunter Biden dhe babain e tij në prag të zgjedhjeve të viti 2020. Ata thanë se vendimi i platformës Twitter përkoi me një letër nga ish-drejtues të lartë të zbulimit amerikan që e cilësonin laptopin si dezinformim rus.
“Amerika pa një fushatë të koordinuar nga kompanitë e mediave sociale, rrjetet kryesore mediatike dhe komuniteti i zbulimit për të ndaluar dhe shkatërruar ekzistencën e laptopit të Hunter Biden-it dhe përmbajtjes së tij”, tha zoti Comer.
Demokratët e komisionit hodhën poshtë pretendimet republikane si një ndjekje të parëndësishme për një temë që ka mahnitur konservatorët e linjës së ashpër për më shumë se dy vjet.