Gjykata e Tiranës lë në fuqi arrestin me burg për ish zyrtaren Klosi

  • Armand Mero

Ilirjan Muho, avokat i ish zyrtares Alda Klosit

Në Shqipëri, Gjykata konfirmoi sot masën e arrestit me burg për ish zyrtaren Alda Klosi, në banesën e së cilës u vodhën 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila punonte për të. Kjo e fundit dëshmoi më pas se vjedhja kishte qenë e inskenuar së bashku me zonjën Klosi, dhe se edhe mbi 400 mijë eurot e tjera që u gjendën në banesën e saj, i përkisnin ish zyrtares. Avokati i zonjës Klosi, deklaroi pas vendimit të gjykatës, se pastruesja nuk mund të konsiderohet e besueshme për shkak të disa versioneve që ka ofruar deri më tani për ngjarjen, por nuk dha një sqarim bindës dhe për deklarimet e ndryshme të vetë ish zyrtares, apo dhe kontradiktat me deklaratën e vëllait të saj.

Your browser doesn’t support HTML5

Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e Prokurorisë, ish zyrtarja Klosi mbetet në arrest me burg

Pak orë pas arrestimit të premten në mbrëmje ish zyrtarja Alda Klosi u shtrua në spital për shkak të problemeve shëndetësore. Ajo vazhdon të qëndrojë atje, dhe për këtë arsye prokurorja e çështjes dhe gjyqtari, u detyruan sot të shkonin në spital për të verifikuar gjendjen e saj, në prani dhe të avokatit Ilirjan Muho. Vetëm më pas, seanca për masën e sigurisë vijoi në gjykatën e Tiranës, ku u konfirmua masa e arrestit me burg.

Një vendim për të cilin avokati u shpreh i keqardhur pasi sipas tij, "prokuroria e ka bazuar gjithshka në deklarimet e pastrueses Rozeta Dobi", e arrestuar në 6 janar, së bashku me djalin e saj për vjedhjen e banesës së ish zyrtares. Dobi është shprehur se vjedhja është inskenuar në bashkëpunim me Klosi dhe se të gjitha paratë e gjetura në shtëpinë e saj janë të zonjës Klosi.

Sipas avokatit, deklarimet e pastrueses nuk janë të besueshme. "Sa herë që është pyetur ka dhënë një veriosn të ri për ngjarjen. Fillimisht nuk e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre. Më pas, kur është petur pas disa ditësh, ka pranuar se e ka kryer me djalin e saj. Në deklarimin e datës 3 shkurt, ka deklaruar para prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore se këto veprime i ka kryer në marrëveshje të plotë me Alda Klosin. Natyrisht kjo është një gënjeshtër, një deklarim absolutisht i pavërtetë”, u shpreh avokati Muho.

Është e vërtetë që Dobi ka dhënë versione të ndryhme, që bien në kundërshtim dhe me rrëfimet e të birit, por nga ana tjetër edhe vetë zonja Klosi, ka ofruar po ashtu deklarata kontradiktore.

Lexoni edhe këtë Ish-zyrtarja Alda Klosi i deklaroi paratë e vjedhura me tre javë vonesë

Ditën e vjedhjes, në polici, ajo nuk ka treguar se i mungonin mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollar. Avokati dha një shpjegim jo bindës për këtë: “Pasi ka ardhur në shtëpi, ditën që ka ndodhur ngjarja, ka parë se kasaforta e saj mungonte dhe ka komunikuar me oficerët e policisë duke u thënë se kam dhe diçka tjetër për të shtuar. Dhe ata i kanë thënë që nëse ke diçka për të shtuar, mund ta bësh dhe më vonë këtë”.

Por në fakt ajo nuk e ka bërë as më vonë denoncimin për paratë, dhe ka folur për mungesën e tyre, vetëm kur është arrestuar Dobi dhe i biri, e për pasojë është thirrur në polici, për të identifikuar bizhuteritë të cilat kishte thënë se i ishin vjedhur. Ajo ka shpjeguar se paratë i ishin lënë nga xhaxhai i sëmurë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të shëndetit të tij duke qenë se ishte për kurim në Shtetet e Bashkuara.

Lexoni edhe këtë Tiranë, deklaratat kontraditore që çuan në arrestimin e ish zyrtares Klosi

Dy ditë pas këtij deklarimi, vëllai i saj ka ofruar një version tjetër sipas të cilit 125 mijë euro ishin marrë hua, për të ndihmuar xhaxhanë e sëmurë dhe do t’i dërgoheshin atij atje me rrugë bankare. Ndërsa për 30 mijë dollarët, avokati tha se “janë lënë nga nusja e xhaxhait dhe xhaxhai, për nevojat e arredimit të një shtëpie që kanë blerë në Tiranë”. Duket e cuditshme që ndërkohë që merren hua për shëndetin e xhaxhait 125 mijë euro, familja e këtij të fundit, i lë mbesës 30 mijë dollarë për të pajisur një shtëpi.

Zonja Klosi e cila ka qenë deri në korrikun e vitit të kaluar shefe kabineti e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, përballet me tre akuza, nga “Mosdeklarimi i pasurisë”, Pastrimi i parave” dhe "Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.