Hovenier: SHBA-ja e inkurajuar me qasjen e Kosovës ndaj propozimit për marrëveshjen me Serbinë

  • Leonat Shehu

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shpërndarë postimin e të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili mirëpriti po ashtu siç tha, vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

“Diskutimet do të vazhdojnë për një takim të nivelit të lartë”, shkroi zoti Lajçak, pas vizitës së të martës në Prishtinë dhe Beograd.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t'i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje, ndërsa thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Your browser doesn’t support HTML5

Hovenier: SHBA e inkurajuar me qasjen e Kosovës ndaj propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, po ashtu e ka lënë të kuptohet se do të pranojë propozimin.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti, në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se faktori ndërkombëtar duhet të hedh hapa konkret.

“Jemi në një fazë ku në parim marrëveshja është pranuar, dokumenti është pranuar nga të dyja palët, secila palë ka disa ambicie për ta ndryshuar, më shumë Serbia sesa Kosova, Kosova kërkon garancione ndërsa Serbia kërkon ndryshime të dokumentit por faktori ndërkombëtar duhet të jetë në një stad, të ndërmerr hapa konkretë për të bërë sekuencimin e procesit të finalizimit të marrëveshjes, e që nuk është duke e bërë dhe këtë nuk është duke bërë, nga përshtypja ime, duke komunikuar me ta. Ata kanë pasur një përshtypje që palët ende nuk janë plotësisht të gatshme për ta bërë marrëveshjen por palët nuk do të mund të jenë më të gatshme sesa kaq që kanë thënë”, tha ai.

Zoti Rashiti thotë se diplomacia perëndimore duhet të ndihmojnë palët për të ecur përpara duke e rrumbullakuar tërë marrëveshjen.

“Nëse mbetët kjo hapësirë, ka rrezik që mosbesimi mes palëve jo vetëm mes Serbisë dhe Kosovës por edhe në mes të Kosovës e ndërkombëtarëve e Serbisë e ndërkombëtarëve të rritet dhe ashtu është një besim i lëkundur dhe ndërkombëtarët ende nuk janë të bindur se do të futen tërësisht në marrëveshje Kosova dhe Serbia”, tha ai.

Lexoni edhe këtë Kurti: E pranojmë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Sipas zotit Rashiti tashmë roli i diplomacisë fluturuese po merr fund dhe se Serbia e Kosova duhet ta kenë të qartë dinamikën dhe të projektojnë momentin e nënshkrimit. Ai thotë se marrëveshja duhet të ketë karakterin e një traktati ndërkombëtarë dhe të garantohet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Nëse nuk ka qartësi të plotë në këtë fazë për dinamikën e negociatave, implementimin, rolet e garantuesit kjo marrëveshje mund të dal shumë e dëmshme dhe shumë problematike në të ardhmen dhe raste të tilla ka sikurse marrëveshja e Oslos në mes të Palestinës dhe Izraelit kështu që natyra është shumë e ngjashme prandaj duhet të ulen palët, t’i ndihmojnë palët që të diskutohen të gjitha aspektet përfshirë edhe Asociacionin, statutin e Asociacionit përfshirë edhe implementimin dhe obligimet e njërës dhe tjetrës pale”, tha zoti Rashiti.

Lexoni edhe këtë Vuçiç: Perëndimorët kërcënuan me pasoja nëse nuk nënshkruajmë marrëveshje me Kosovën

Propozimi evropian, nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. Beogradi tha se është i gatshëm të bisedojë por nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ndonëse propozimi nuk e përfshinë një gjë të tillë.

Javën që lamë presidenti serb Vuçiç raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke vënë theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.

Debati u pasua nga mospajtime ndërmjet partnerëve në koalicionin qeverisës, Partisë Përparimtare Serbe të presidentit Vuçiç dhe Partisë Socialiste të Serbisë të ministrit aktual të Punëve të Jashtme Ivica Daçiç, një politikan prorus.

Mbështetësit e presidentit Vuçiç akuzuan socialistët se mbajtën anën e opozitës serbe e cila kundërshton propozimin evropian. Madje ata thanë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe sipas medieve serbe kjo mundësi është diskutuar edhe në takimin e Këshillit Drejtues të Partisë së Presidentit Vuçiç.

Presidenti Vuçiç konfirmoi të martën në mbrëmje se ka një krizë në marrëdhëniet me socialistët, por në një intervistë me televizionin proqeveritar Pink, tha se nuk mendon që zgjedhjet janë zgjidhje “sepse kemi shumë probleme për të zgjidhur”.

Një pjesë e vëzhguesve në Serbi thanë se debati mund të jetë pjesë e taktikave të paralajmëruara të presidentit serb për të blerë kohë përballë trysnisë për një marrëveshje me Kosovën, Por një pjesë mendon se paralajmërimet për zgjedhje të mundshme janë pjesë e manovrimeve politike për të ripërtërirë qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës.