FBI-ja arreston dy të dyshuar për planifikim të një sulmi ndaj rrjetit elektrik në Baltimore

FBI

FBI-ja arrestoi dy persona, duke përfshirë udhëheqësin e një grupi neo-nazist, përpara se ata të sulmonin rrjetin elektrik të Baltimorës, thanë zyrtarët të hënën.

Zyrtarët thanë në një konferencë me gazetarët të hënën se të dyshuarit Brandon Russell dhe Sarah Clendaniel u arrestuan javën e kaluar. FBI-ja tha se komploti kishte motive racore, por nuk dha më shumë detaje për këtë. Sipas të dhënave të Agjencisë amerikane të

Regjistrimit të Popullsisë, shumica e banorëve në Baltimore janë afrikano-amerikanë.

Brandon Russell është një nga themeluesit e grupit neo-nazist “Atomwaffen Division”. Sipas “Southern Poverty Law Center”, një organizatë për mbrojtjen e të drejtave civile që ndjek aktivitetin e grupeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara, grupi “Atomwaffen Division” punon drejt "shkatërrimit ose rënies së civilizimit".

Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të gjente menjëherë avokatët e dy personave të arrestuar.

“Clendaniel dhe Russell planifikuan dhe morën hapa për të qëlluar me armë nënstacione të shumta elektrike në zonën e Baltimorës me qëllim që të “shkatërronin plotësisht të gjithë qytetin”, por zbatimi i planeve të tyre u parandalua”, tha Erek Barron, Prokurori federal i Distriktit të Merilendit.

“Të akuzuarit jo vetëm që po flisnin, por ata po merrnin edhe hapa për të realizuar kërcënimet dhe qëllimet e tyre ekstremiste”, tha agjenti special i FBI-së në Baltimore, Thomas Sobocinski.

Nga të paktën qershori i vitit 2022 e deri më sot, i dyshuari Brandon Russell bëri komplote për të kryer sulme ndaj infrastrukturës kritike, thanë zyrtarët.

Russell ofroi udhëzime dhe informacione mbi vendndodhjen pikave të rrjetit elektrik për sulmin e planifikuar, ndërsa Clendaniel kishte shprehur mendimin se komploti "do ta shkatërronte këtë qytet", tha agjenti Sobocinski para gazetarëve.

Dega e korporatës “Exelon Corporation EXC.O” në Baltimore, “Baltimore Gas and Electric”, e cila menaxhon nënstacionet që ishin në shënjestër të të dyshuarave, tha se nuk kishte patur dëme në pajisjet e saj ose ndërprerje të energjisë elektrike. Kompania tha se nuk besonte se pajisjet e saj ishin në shënjestër për shkak të ndonjë dobësie në sistemet e tyre.