Zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri, një vit pas rishikimit të kufijve

  • Raimond Kola

Qeveria shqiptare rishikoi një vit më parë kufijtë e zonave të mbrojtura natyrore në Shqipëri. Në disa prej sipërfaqeve të hequra nga Parku i Butrintit dhe i Divjakë - Karavastasë janë shfaqur pasojat e para negative, ndërsa një përparim pozitiv shihet në statusin e lumit Vjosa si Park Kombëtar. Disa organizata mjedisore në Shqipëri kanë krijuar një koalicion për zonat e mbrojtura që synon adresimin e problemeve që po krijohen, jo vetëm tek autoritetet, por edhe në gjykatë.

Your browser doesn’t support HTML5

Zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri nje vit pas rishikimit të kufijve


Në disa prej tyre kemi konflikte të drejtëpërdrejta. Në Butrint dihet që menjeherë pas heqjes së zonës së mbrojtur është dhënë një leje për resort turistik. Në Karavasta ne shikojmë zënie të territorit nëpërmjet infrastrukturës bujqësore dhe humbje të habitatit dhe jo vetëm. Po shikojmë madje edhe investime startegjike të dhëna brenda zonave të mbrojtura dhe janë inevstime që nuk shkojnë me integritetin ekologjik të vetë zonave të mbrojtura.

Zoti Bino thotë më tej se vetëm në Parkun e Divjakë Karavastasë pas rishikimit të kufijve gjatë vitit 2022 sipërfaqja e habitateve e zënë me aktivitete bujqësore, kryesisht sera, shkoi në 39,58% nga 0.82 % që ishte në vitin 2005 dhe 7,75 % që ishte në vitin 2012.

Pjesë e koalicionit për zonat e mbrojtura është një tjetër organizatë “Eco Albania” . Drejtuesi i saj Olsi Nika thotë se rishikimi i zonave të mbrojtura i ka hapur rrugë investimeve, të cilat po duken dita ditës në ato sipërfaqe që u hoqën nga zonat e mbrojtura.

“Duket dhe e po vërtetohet gjithnjë e më shumë që gjithë rishikimi i rrjetit kombëtar të zonave të mbrotjura është bërë pikërisht për t`i hapur rrugë investimeve. Ka raste që janë shumë të avancuara sic është rasti i Aeroportit të Vlorës, pra është hequr pjesa e zonës së mbrojtur për tu zhvilluar ky investim ashtu si ka të tjera që janë në fazë planifikimi. Unë mund t`ju them që 75% e gjithë investimeve strategjike që kanë kaluar përmes Komisionit të Investimeve Strategjike janë të lokalizuara brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura dhe shumica e tyre pikërisht në këto hapësira që janë krijuar nga procesi i rishikimit.”

Konventa e Bernës, një instrument juridik ndërkombëtar, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar, u kërkoi autoriteteve shqiptare fundvitin e shkuar pezullimin e punimeve për Aeroportin e Vlorës për shkak “të mungesës së dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Rishikimi i hartës së zonave të mbrojtura duhet parë si për efektet pozitive edhe ato negative, thotë Mirjant Topi, një tjetër studiues dhe aktivist i mjedisit.

“Një prej zhvillimeve pozitive që solli ky proces ishte rritja e sipërfaqes së përgjithshme të rrjetit kombëtar zonave të mbrojtura të vendit që sot ka arritur në 21 % të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Një zhvillim tjetër pozitiv ishte fakti që u përmirësua dhe u njësua statusi ligjor i disa zonave sepse ka pasur kontradiktë ligjore. Psh, Ligji i Zonave të Mbrojtura theksonte që një Monumet Natyre ka një sipërfaqe deri në 15 ha, ndërkohë që ne kishim Monumente Natyre me një sipërfaqe shumë më të madhe.

Ndërsa zhvillimet më negative thotë zoti Topi lidhen ngushtësisht me zonat ligatinore dhe bregdetare që përfaqësojnë dhe zonat më të rralla në Shqipëri të cilat përbëjnë rreth 3% të totalit të zonave të mbrojtura në Shqipërisë.

Por, ndërsa në disa zona të mbrojtur natyrore shihen efektet e para negative pëparime po bëhen në menaxhimin e zonës së lumit Vjosa si një Park Kombëtar.

Ministria e Mjedisit ka nisur këshillimet me komunitetin dhe synohet që brenda këtij viti Vjosa të shpallet Park Kombëtar në gjithë rrjedhën e saj dhe të nëndegëve, sipas Kordinatores Kombëtare të projektit Adelina Greca.

“Jemi në fazën e parë të proçesit kur do të shpallet Vjosa së bashku me tre degë të saj , Drinon, Bënçën dhe Shushicën , Park Kombëtar , ndërkohë që në fazën e dytë synohet shpallja e plotë e Vjosës Park Kombëtar duke përfshirë edhe degët e tjera të saj me derdhje të lirë”.

Organizatat mjedisore, pjesë e koalicionit të zonave të mbrojtura, krahas adresimit të problemeve të krijuara me rishikimin e zonave të mbrojtura tek institucionet përgjegjëse në disa raste u janë drejtuar edhe gjykatave.

Të paktën tre padi janë në shqyrtim e sipër lidhur me vendimarrjet për zonat e mbrojtura, thotë Dorian Matlia i Qendrës ligjore “Res Publika” pjesë e koaliconit të organizatave për zonat e mbrojtura.

Komunitetet e banorëve janë më pak të interesuara për zonat e mbrojtura. Ka disa komunitete në zona të caktuara që janë të interesuara, por jo kudo. Ndërsa organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shkencore janë më të interesuara për procesin. Praktikisht deri tani janë tre vendim-marrje të Këshillit të Ministrave për zonat e mbrojtura , një prej të cilave është në gjykatë dhe dy të tjerat për pak ditë do të shkojnë në gjykatë”

Sipas Indeksit botëror të Performancës Mjedisore të vitit të shkuar Shqipëria renditet e 62-ta, nga 180 shtete të marra në studim, sa i përket performancës së mbrojtjes së mjedisit. Sipas vlerësimit Shqipëria ka treguesit më të dobët në adresimin e politikave të duhura për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe shëndetin mjedisor në tërësi.