Rreth 80 tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman do të dërgohen në Ukrainë në javët e ardhshme, sipas Berlinit, ndërsa Britania dhe Shtetet e Bashkuara po planifikojnë gjithashtu të dërgojnë dhjetëra tanke të sofistikuara luftarake. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, vendimi po shihet si një moment kyç në luftë - një moment që gjithashtu i tërheq vendet perëndimore më thellë në konflikt.
Gjermania vendosi këtë javë të dërgojë 14 nga tanket e saj të fuqishëm Leopard 2 në Ukrainë – dhe të lejojë aleatët të dërgojnë furnizimet e tyre me këto tanke.
Berlini tha se tanket do të dorëzohen deri në fund të marsit. Perëndimi tani është në garë me kohën për të dislokuar pajisjet.
“Nëse shikoni tanket, është edhe çështja e sasisë. Siç u njoftua dje, unë do të zhvillojë bisedimet fillestare me industrinë e armëve për këtë çështje”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius.
Polonia, Spanja, Norvegjia dhe Finlanda kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë tanke Leopard. Gjermania tha të mërkurën se Ukrainës do t'i jepen rreth 80 mjete të tilla.
Përveç kësaj, Ukraina do të marrë 14 tanke britanike Challenger 2 dhe 31tanke amerikane Abrams. Trupat ukrainase do të duhet të kryejnë disa javë stërvitje për pajisje të ndryshme.
“Ukrainasit kanë dëshmuar se janë jashtëzakonisht të aftë për të thithur ndihmën ushtarake perëndimore. Por kjo kërkon kohë. Dhe koha nuk është në anën e tyre, duke pasur parasysh se pranvera është afër dhe pritet që Rusia të kryejë një ofensive madhore”, thotë John Lough, ekspert për Rusinë në organizatën Chatham House.
NATO-ja e komentoi vendimin për dërgimin e tankeve si një moment "të rëndësishëm".
“Ajo për të cilën Vladimir Putin po shpreson, dhe ka shpresuar gjatë muajve të fundit, është kërcënimi dhe frikësimi dhe më pas lodhja e evropianëve – veçanërisht për ndikimin që sanksionet kanë në ekonomitë e tyre – që të gjitha këto do të shkaktonin prishjen e unitetit transatlantik sipas Putinit. Por deri më tani, kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi parë të kundërtën” thotë Angela Stent, eksperte për Rusinë në Universitetin Georgetown.
Kievi thotë se i duhen 300 tanke – dhe avionë luftarakë perëndimorë për të mposhtur pushtimin rus. A mund të jetë kjo pengesa e radhës për t’u kapërcyer nga Perëndimi?
“Do të ishte një tjetër masë përshkallëzuese. Por unë mendoj se për momentin, ajo që ata duan të bëjnë është të shohin se si Ukraina do të veprojë me tanket dhe më pas do të vlerësojnë për më tej”, thotë Ed Arnold me Institutin për Shërbimet Mbretërore të Bashkuara.
Perëndimi tani është investuar shumë në luftën në Ukrainë. Tanket e tij kryesore të betejës - të drejtuara nga ukrainasit - së shpejti do të shkojnë ballë për ballë me armaturën ruse në stepat e Evropës.
“Kjo mund të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë. Rusët e kuptojnë këtë dhe ne mund të themi nga mesazhi i Putinit drejtuar shoqërisë ruse, se ai po e përgatit vendin për një luftë të gjatë. Pyetja që unë mendoj, megjithatë, nga ana e Perëndimit, është nëse qeveritë perëndimore janë të përgatitura të bëjnë të njëjtën gjë me shoqëritë e tyre”, thotë eksperti John Lough.
Armët perëndimore mund të ndihmojnë Ukrainën të dëbojë forcat ruse. Por lufta nuk do të përfundojë së shpejti – dhe vendosmëria e qeverive dhe e publikut do të vazhdojë të vihet në provë.