UASHINGTON (AP) - Arkivi Kombëtar u ka kërkuar ish-presidentëve dhe nënpresidentëve të SHBA-ve që të rishikojnë të dhënat e tyre personale për çdo dokument të klasifikuar pas lajmit se presidenti Joe Biden dhe ish-nënpresidenti Mike Pence kishin dokumente të tilla në zotërim.
Arkivat u dërguan një letër të enjten përfaqësuesve të ish-presidentëve dhe nënpresidentëve, duke shkuar deri në periudhën e presidentit Ronald Regan për të siguruar pajtueshmërinë me Aktin e të dhënave presidenciale, sipas një kopjeje të marrë nga agjencia Associated Press. Akti thotë se çdo regjistrim i krijuar ose i marrë nga presidenti është pronë e qeverisë së SHBA dhe do të menaxhohet nga Arkivat në fund të çdo administrate.
Arkivat ua dërguan letrën përfaqësuesve të ish-presidentëve Donald Trump, Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush dhe Ronald Reagan, dhe ish-nënpresidentëve Pence, Biden, Dick Cheney, Al Gore dhe Dan Quayle.
Përgjegjësia për të respektuar Aktin e të dhënave presidenciale "nuk zvogëlohet pas përfundimit të një administrate," shkruante Arkivi në letër. "Prandaj, ne kërkojmë që të bëni një vlerësim të çdo materiali të mbajtur jashtë (Arkivit) që ka të bëjë me administratën për të cilën ju keni shërbyer për të përcaktuar nëse materialet e supozuara më parë se ishin personale në natyrë, mund të përmbajnë pa dashje të dhëna presidenciale ose nënpresidenciale".
Zëdhënësit e ish-presidentëve Trump, Obama, Clinton dhe ish-nënpresidentëve Pence, Dick Cheney, Al Gore dhe Dan Quayle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Freddy Ford, shefi i kabinetit të ish-presidentit George W. Bush, sugjeroi në përgjigjen e tij për Arkivin se zyra e zotit Bushit nuk besonte se një kërkim ishte i nevojshëm, duke thënë: “Faleminderit për shënimin tuaj. Ne e kuptojmë qëllimin e tij dhe mbetemi të sigurt se asnjë material i tillë nuk është në zotërimin tonë.”
Avokatët e presidentit Biden hasën në dokumente të klasifikuara nga koha e tij si zëvendëspresident në një kabinet të mbyllur, teksa po paketonin një zyrë që ai nuk e përdor më në nëntor. Që atëherë, kërkimet e mëvonshme nga FBI dhe avokatët e Bidenit kanë gjetur më shumë dokumente. Ish-zëvendëspresidenti Pence, gjithashtu, këtë javë, zbuloi dokumente dhe i dorëzoi pasi kishte thënë më parë se nuk besonte se kishte të tilla.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por kërkimet nga avokatët e zotit Biden dhe FBI-së duket se po përmbushin kërkesën e Arkivave.
Arkivi nuk bëri asnjë koment.
Trajtimi i dokumenteve të klasifikuara ka qenë një problem i vazhdueshëm për dekada, nga presidentët tek anëtarët e kabinetit dhe stafi nëpër administrata të shumta që shtrihen deri tek Jimmy Carter. Por çështja ka marrë një rëndësi më të madhe që kur ish-presidenti Donald Trump mbajti me dashje materiale të klasifikuara në pronën e tij në Florida, duke shkaktuar sekuestrimin e paprecedentë nga FBI-ja të mijëra faqeve të të dhënave vitin e kaluar.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland caktoi një këshilltar special për të hetuar trajtimin e dokumenteve nga zoti. Trump, si dhe zoti Biden.
Rezulton se zyrtarë nga të gjitha nivelet e qeverisjes zotërojnë materiale të klasifikuara dhe ua dorëzojnë ato autoriteteve të paktën disa herë në vit, sipas një personi tjetër të njohur me këtë çështje, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së natyrës së dokumenteve të klasifikuara.
Zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë të përfshirë në trajtimin e informacionit të klasifikuar thonë se ndonëse ka politika të qarta se si duhet të rishikohen dhe ruhen këto informacione, këto rregulla ndonjëherë lihen mënjanë në nivelet më të larta. Ekipet e zyrtarëve të sigurisë kombëtare, sekretarëve dhe ndihmësve ushtarakë, të cilët ndajnë përgjegjësinë për të mbajtur të informuar drejtuesit e nivelit të lartë - dhe vetë drejtuesit - mund të anashkalojnë rregullat ndonjëherë thjesht për pakujdesi.
Ndërsa shumica e vëmendjes i është kushtuar informacionit të klasifikuar, Akti i Regjistrimeve Presidenciale në të vërtetë kërkon që, nga administrata e Reganit e në vazhdim, të gjitha të dhënat duhet të transferohen në Arkiva, pavarësisht nga klasifikimi.
Është kundër ligjit federal të kesh dokumente të klasifikuara në një vend të paautorizuar, por është krim vetëm nëse kjo është bërë me dashje.