Gjermania vendos të dërgojë tanke ‘Leopard’ në Ukrainë

Kancelari Olaf Scholz njoftoi të mërkurën se qeveria e tij do t'i sigurojë Ukrainës tanke luftarake ‘Leopard 2’ si dhe do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë. Vendimi erdhi pas disa javësh hezitimi të Berlinit, që u ndesh me një padurim në rritje në mesin e aleatëve të këtij vendi.

Your browser doesn’t support HTML5

Gjermania vendos të dërgojë tanke ‘Leopard’ në Ukrainë

Nëpërmjet një deklarate, qeveria gjermane tha se do t'i sigurojë fillimisht Ukrainës nga stoku i saj, një njësi tankesh ‘Leopard 2 A6’, që përbëhet nga 14 automjete. Qëllimi është që Gjermania dhe aleatët e saj t'i ofrojnë Ukrainës gjithsej 88 tanke.

Ky vendim ndjek linjën tonë të mirënjohur në mbështetje të Ukrainës, duke bërë me të mirën e aftësive tona”, tha zoti Scholz pas një takimi me kabinetin e tij në Berlin.

Gjermania po vepron në koordinim të ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, shtoi ai.

Vendimi i shumëpritur erdhi pasi zyrtarët amerikanë thanë të martën se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke ‘M1 Abrams’ për të ndihmuar trupat e Ukrainës në zmbrapsjen e forcave ruse, të cilat vazhdojnë të ruajnë pozicionet e tyre në lindje të vendit, ndërsa po shënohet pothuajse një vit nga fillimi i luftës.

Zoti Scholz kishte këmbëngulur që çdo vendim për të pajisur Ukrainën me tanke të fuqishme ‘Leopard 2’ të merrej në bashkëpunim me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara. Duke e detyruar Uashingtonin të përdorë disa nga tanket e veta, Berlini shpreson të ndajë rrezikun e çdo reagimi nga Rusia.

Ekkehard Brose, kreu i Akademisë Federale Ushtarake Gjermane për Çështje të Sigurisë, tha se ky pozicion i Shteteve të Bashkuara ishte vendimtar, për të shmangur që Evropa të përballet e vetme me Rusinë, një vend që disponon armë bërthamore.

Por ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë historike të këtij vendimi.

Tanket e prodhimit gjerman do të përballen edhe një herë me tanket ruse në Ukrainë”, tha ai, duke shtuar se ky nuk ishte “një mendim i lehtë” për Gjermaninë, e cila e merr seriozisht përgjegjësinë e saj për tmerret e Luftës së Dytë Botërore.

"Megjithatë ky ishte vendimi i duhur", tha zoti Brose, duke argumentuar se u takonte vendeve perëndimore demokratike të ndihmonin Ukrainën për të ndalur fushatën ushtarake të Rusisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius paralajmëroi se do të duheshin rreth tre muaj që tanket e para të dërgoheshin në Ukrainë. Ai i cilësoi tanket ‘Leopard 2’ si "tanket më të mirë të betejës në botë". Qeveria gjermane tha se planifikonte të fillonte me shpejtësi stërvitjen e ushtarëve ukrainas në Gjermani. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i cilësoi synimet gjermane dhe të SHBA-ve me vendimin për tanket, si një "një plan katastrofik". "Jam i bindur se shumë specialistë e kuptojnë absurditetin e këtij vendimi", u tha zoti Peskov gazetarëve të mërkurën.

Gjëja kryesore është se ky është një mbivlerësim i potencialit që do t'i shtonte furnizimi me tanke, forcave të armatosura të Ukrainës. Është një tjetër gabim, një gabim mjaft i madh”, tha zyrtari i Kremlinit.

Anëtarët e qeverisë së koalicionit tre-partiak të zotit Scholz e mirëpritën lajmin përpara njoftimit zyrtar. Dy parti më të vogla opozitare, e kritikuan vendimin.

Alternativa e Ekstremit të Djathtë për Gjermaninë e quajti vendimin "të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm".

Partia e Majtë, e cila gjithashtu ka lidhje historike me Moskën, paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit. Sondazhet e fundit të opinionit publik treguan një ndarje mes votuesve gjermanë mbi këtë çështje.

Trysnia ndaj zoti Scholz u rrit këtë javë pasi Polonia i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë miratimin për të dërguar disa nga tanket e veta ‘Leopard’ në Ukrainë. Polonia ka qenë ndër vendet udhëheqëse që u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë për të dërguar tanke gjermane në Ukrainë.