Mediat: Uashingtoni dhe Berlini do të dërgojnë tanke në Ukrainë

Gjermania do të dërgojë tanke ‘Leopard 2’ në Ukrainë si dhe do të lejojë vende të tjera sikurse Polonia, të bëjnë të njëjtën gjë, me synimin për të ndihmuar Kievin në luftën e tij kundër agresionit rus. Lajmi u bë i ditur për agjencinë 'Reuters' nga dy burime në dijeni të çështjes, të cilët shtuan gjithashtu se edhe Shtetet e Bashkuara mund të furnizojnë Ukrainën me tanke ‘Abrams’.

Edhe pse deri tani kjo gjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Berlini apo Uashingtoni, zyrtarët në Kiev e përshëndetën me shpejtësi atë që ata e quajtën, një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së zhvillimeve në fushën e betejës, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e 11-të të saj. Një zëdhënës i qeverisë gjermane dhe ministritë e jashtme dhe të mbrojtjes në Berlin, nuk pranuan të komentojnë për agjencisë 'Reuters'.

Kievi ka bërë thirrje prej disa muajsh për tanke prodhim perëndimor, që thotë se janë tejet të dosmosdoshme, për t'u siguruar trupave ukrainase fuqinë e zjarrit dhe lëvizshmërinë për të thyer mbrojtjen ruse, e për të rimarrë ato pjesë të pushtuara të territorit në lindje dhe jug të vendit.

Senatorë amerikanë me peshë, mbështesin dërgimin e tankeve në Ukrainë

Disa senatorë kryesorë amerikanë mbështetën të martën hapin tjetër madhor në ndihmën e Uashingtonit për Ukrainën, duke inkurajuar Shtëpinë e Bardhë të bëjë përpara me një plan për të dërguar tanke ‘M1 Abrams’ për të luftuar agresionin rus.

"Treqind tanke u janë dhënë ukrainasve, të cilët kanë një aftësi për të goditur çdo sistem armësh dhe për të maksimizuar avancimin në terren", u tha gazetarëve republikani Lindsey Graham të martën pas kthimit nga një udhëtim në Ukrainë

Pavarësisht nga vështirësitë e përdorimit të tankeve ‘M1 Abrams’, administrata Biden thuhet se po peshon dërgimin e tyre në Ukrainë, duke shpresuar se kjo do të rriste shanset që Gjermania të dërgonte tanket e veta ‘Leopard’.

Polonia njoftoi të hënën se do të kërkonte miratimin e Gjermanisë për të dërguar tanke nga stoku i saj me tanke të këtij lloji. Po kështu Britania e Madhe njoftoi javën e kaluar se do të dërgonte tanke ‘Challenger 2’. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se tanket ‘Challenger 2’ nuk ishin të mjaftueshme për të përmbushur qëllimet operacionale të tyre.

Ukraina u ka kërkuar vazhdimisht vendeve perëndimore ta furnizojnë atë me tanke për t'u mbrojtur kundër Rusisë. Javën e kaluar në një takim të zyrtarëve të NATO-s që u mbajt në Gjermani, Berlini tha se do të konsideronte furnizimin me 'Leopard 2', që shihen si tanket më të avancuara, vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin të furnizonin Kievin me ‘M1 Abrams’.

Gazeta gjermane ‘Der Spiegel’ dhe disa media cituan njoftime të pakonfirmuara të martën se qeveria gjermane kishte vendosur t’i dërgonte Ukrainës tanket ‘Leopard 2’. Po kështu ‘Associated Press’ bëri të ditur se zyrtarët amerikanë do të njoftojnë zyrtarisht vendimin mbi tanket ‘M1 Abrams’, këtë të mërkurë.

Nëse njoftimet në shtyp janë të vërteta, jam shumë i kënaqur me vendimin e administratës Biden për të dërguar tanke Abrams për të ndihmuar Ukrainën që të dëbojë rusët nga territori ukrainas”, thuhej në deklaratën e zotit Graham.

Ukrainasit mund të fitojnë nëse kanë mjetet e nevojshme, duke filluar me tanket”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili ishte gjithashtu pjesë e delegacionit që u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy në Ukrainë. "Tanket Leopard 2 janë të rëndësishme sepse janë atje, në Evropë, mijëra prej tyre mund të transportohen e mbushen me karburant me lehtësi dhe po kështu kjo lehtëson edhe stërvitjes mbi këto lloj tankesh. Ato janë thelbësore. Por nëse duhen tre, pesë apo dhjetë tanke Abrams atje (Ukrainë) ta bejmë".

Pentagoni tha më herët të martën se 'M1 Abrams' janë "sisteme komplekse armësh dhe mirëmbatja e tyre është sfiduese.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, paralajmëroi të martën në Senat se dështimi i Perëndimit për të vepruar mund të ketë pasoja shkatërruese.