Superpërçuesit apo substancat që lejojnë kalimin e energjisë përmes tyre pa rezistencë, mundësojnë që aparatura të ndryshme të funksionojnë më shpejt dhe të kursejnë energji. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Shelley Schlender, disa prej superpërçuesve funksionojnë vetëm në temperatura shumë të ulta. Shkencëtarët tani po kërkojnë të gjejnë mënyra për të shmangur nevojën e ftohjes.
Your browser doesn’t support HTML5
Aparaturat mjekësore që gjurmojnë për sëmundje dhe trenat që ecin me shpejtësi të lartë, funksionojnë falë superpërçuesve.
Shumica e superpërçuesve aktualë, duhet të ftohen në temperatura rreth 100 herë më të ulta se temperatura e dhomës, gjë që kërkon helium të lëngshëm, një lëndë e rrallë dhe e kushtueshme.
Joe Eck, një entuziast nga shteti i Kansasit, dëshiron të gjejë materiale që mund të kryejnë funksionin e superpërçuesve, por në temperatura normale.
“Nëse do ta arrinim këtë, nuk do të kërkohej fare ftohje”, thotë zoti Eck.
Me superpërçuesit në temperatura normale, makinat elektrike mund të përshkruajnë distanca më të gjata, pa patur nevojë të rimbushen.
Kompjuterat mund të bëhen edhe më të vegjël.
“Superkompjuterat që tani mbushin dhoma të tëra, mund të mbahen edhe në shtëpi”, sqaron më tej zoti Eck.
Disa shkencëtarë thuhet se kanë krijuar superpërçues me temperatura normale, që mund të punojnë në kushte laboratorike, nën presion të lartë.
Por shkencëtarë të tjerë e vënë në pikëpyetje vërtetësinë e këtij zbulimi.
Në përpjekje për prodhimin e superpërçuesve më të ngrohtë, zoti Eck përzien disa lëndë.
“. . . Bismut, skandium, oksid kadmiumi. Këto janë gjëra të rrezikshme”, e pranon ai.
Ai i pjek ato në furrën e vogël, që e ka ndërtuar vet.
Në Laboratorin Kombëtar “Los Alamos”, Dean Peterson është i njohur me punën e zotit Eck. Shkenctari Peterson thotë se superpërçuesit në temperaturën e dhomës do të ishin aq efikas sa bota do të kursente energji.
“Do të ishte një thesar, që të gjithë e kanë kërkuar 70 vitet e fundit”, thotë shkenctari, Dean Peterson.
Në qytetin Boulder të Kolorados, Danko van der Laan po krijon kabllo që përmbajnë metale të rralla, që funsionojnë si superpërçues, kur ftohen nga azoti i lëngshëm në temperaturë rreth katër herë më të ftohtë se temperatura e dhomës.
“Prodhimi i superpërçuesve, që punojnë në temperatura katër herë më të ftohta se temperatura e dhomës, është një hap i madh”, tha zoti van der Laan.
Një kabllo superpërcjellëse e hollë sa një laps transporton një sasi elektriciteti, e barabartë me një mori kabllosh konvencionale. Këto dhe kërkime të tjera për të gjetur superpërçues më të ngrohtë një ditë mund të çojnë në prodhimin e avionëve që fluturojnë me energji elektrike, si dhe reaktorë për prodhimin e energjisë bërthamore përmes fuzionit (shkrirjes).