Trupat ukrainase stërvitje me tanke gjermane në Poloni

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov bëri të ditur se forcat ukrainase do të mësojnë se si t'i përdorin tanket e betejës 'Leopard 2', pavarësisht se aleatët perëndimorë dështuan të premten të marrin një vendim për të furnizuar Kievin me tanke të prodhimit gjerman.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, Gjermania nuk bien dakord për të dërguar tanke në Ukrainë

Zoti Reznikov i tha të premten Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës se trupat e Ukrainës do të stërviten në Poloni, duke e cilësuar këtë zhvillim, si përparim.

"Vendet që kanë tashmë tanke Leopard mund të fillojnë misionet stërvitore me trupat tona. Shpresoj që Gjermania të ndjekë procesin, të kryejë konsultimet e saj të brendshme e të arrijë në vendimin për të na dërguar take. Jam optimist se një gjë e tillë do të ndodhë pasi hapi i parë është bërë”, tha zoti Reznikov.

Një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shprehu zhgënjimin lidhur me ritmin e mbështetjes ushtarake që aleatët po ofrojnë. Ai tha se Perëdimi duhet "të mendojë më shpejt".

"Në të gjitha rastet ju do ta ndihmoni Ukrainën me armët e nevojshme, e do të kuptoni se nuk ka asnjë mundësi tjetër për t'i dhënë fund luftës përveçse që Rusia të humbasë", shkruante në një postim në Twitter Mykhailo Podolyak. "Mungesa e vendosmërisë që po tregoni sot, po vret edhe më shumë ukrainas. Çdo ditë vonesë do të thotë vdekje për njerëzit tanë. Mendoni më shpejt".

Më herët të premten sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane gjeneral Mark Milley thanë se tani për tani Gjermania nuk do të dërgojë asnjë tank Leopard në Ukrainë. Ata i bënë komentet në një konferencë shtypi në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani, që pasoi një konferencë ndërkombëtare ku u trajtua çështja e ndihmës për Ukrainën.

Takimi u mbajt mes zhgënjimit të Kievit për mospajtimet që ka nxitur çështja e tankeve, ndërsa sulmi rus ka hyrë në muajin e 11 të tij. Presidenti Zelenskyy bëri thirrje të drejtpërdrejtë për tanke në këtë takim.

Megjithatë zoti Reznikov tha se ishte i kënaqur me rezultatet e konferencës: "Mendoj se mesazhi kryesor i këtij takimi ishte uniteti, afatet kohore të dhënies së ndihmës dhe rritja e aftësisë së forcave të armatosura të Ukrainës për të vazhduar operacionet kundërsulmuese për të çliruar territoret e okupuara. Të gjitha paketat e ndihma ushtarake të shpallura më parë janë konfirmuar. Krahas kësaj janë bërë diskutime për paketa të reja ndihme, për të cilat nuk jam i autorizuar të them asnjë. Kjo është frymëzuese ndaj dhe jam shumë i kënaqur”, tha ai.

Ndërkaq SHBA njoftoi një paketë të re ndihme prej 2.5 miliardë dollarësh, çka e çon në rreth 27 miliardë dollarë totalin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën që nga fillimi i sulmit rus ndaj këtij vendi, më 24 shkurt 2022.