Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s dhe 50 vendeve janë mbledhur sot në bazën ajrore Ramstein në Gjermani për të diskutuar për ndihmat e mëtejshme ushtarake për Ukrainën. Takimi mbahet mes mosmarrëveshjeve të vazhdueshme se kush do t'i dërgojë tanket e betejës që udhëheqësit ukrainas thonë se janë jashtëzakonisht të nevojshme për të rimarrë territorin e vendit të kontrolluar nga Rusia.
Your browser doesn’t support HTML5
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjeneral Mark Milley, njoftuan për paketën e fundit masive të ndihmës që po dërgojnë Shtetet e Bashkuara, e cila arrin në 2.5 miliardë dollarë dhe përfshin për herë të parë automjetet e blinduara Stryker.
"Kjo e sjell ndihmën e përgjithshme të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën në më shumë se 26.7 miliardë dollarë që nga agresioni i paprovokuar i Rusisë shkurtin e kaluar. Paketa jonë e re ofron edhe më shumë aftësi mbrojtjeje ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë qytetet e saj”, tha sekretari Austin.
(Sekretari amerikan i Mbrojtjes) Zoti Austin tha se ky është një moment vendimtar, pasi Rusia po bën përpjekje për t’u riorganizuar, për të rekrutuar dhe për t’u rifurnizuar.
“Nuk është momenti për t’u ngadalësuar, por për të intensifikuar përpjekjet. Populli ukrainas i ka sytë nga ne. Kremlini po sheh dhe historia po sheh. Kështu që ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të lëkundemi në vendosmërinë tonë për të ndihmuar Ukrainën."
Por hezitimi më i gjerë për dërgimin e tankeve në Ukrainë ka tronditur koalicionin, pasi Gjermania përballet me presion në rritje për të dërguar tanke Leopard 2 në Kiev, ose të paktën t'u hapë rrugën vendeve të tjera, si Polonia, për të dërguar tanket e prodhuara nga Gjermania nga rezervat e tyre.
Ministri i ri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, është ndër ata që marrin pjesë në takimin në Ramstein.
"Ne nuk po hezitojmë, ne thjesht po peshojmë me shumë kujdes argumentat pro dhe kundër. Është detyra jonë të analizojmë me kujdes dhe intensivisht se cilat mund të jenë pasojat për këdo në konflikt."
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë refuzuar, të paktën deri tani, të ofrojnë tanke M1 Abrams, duke përmendur mirëmbajtjen komplekse dhe sfidat logjistike që ato paraqesin. SHBA beson se do të ishte më produktiv dërgimi i tankeve Leopard 2 pasi shumë aleatë i kanë ato dhe trupave ukrainase do t'u duhej të stërviteshin vetëm për të përdorur atë lloj tanku, ndërsa për tanket Abrams do të duhej një trajnim më i vështirë.
Mbretëria e Bashkuar njoftoi javën e kaluar se do të dërgojë tanke Challenger 2.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke folur drejtpërdrejt përmes lidhjes me video, u kërkoi ministrave të mbrojtjes të "përshpejtojnë" dërgesat e furnizimeve ushtarake.
“Koha vazhdon të përdoret si armë nga Rusia. Ne duhet të shpejtojmë. Koha duhet të bëhet arma jonë e përbashkët, ashtu si mbrojtja ajrore dhe artileria, mjetet e blinduara dhe tanket, për të cilat ne po negociojmë me ju dhe që në fakt do të sjellin fitoren."
Paketa e ndihmës që dërgohet nga SHBA përfshin tetë sisteme të mbrojtjes ajrore Avenger, 350 Humvee, 53 automjete rezistente ndaj minave (MRAP), më shumë se 100 mijë fishekë municion artilerie dhe si dhe sisteme të reja HIMARS të mbrojtjes ajrore.