Vendimi i parlamentit për mandatin e Xhaçkës, Kushtetuesja shqyrton kërkesat e opozitës

  • Armand Mero

Seanca e Gjykatës Kushtetuese për rastin e zonjës Xhaçka

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese nisi sot shqyrtimin e dy kërkesave nga deputetët demokratë lidhur me çështjen e vlefshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, njëkohësisht ministre e Jashtme e vendit. Njëra kërkesë është paraqitur nga grupimi i deputetëve demokratë të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe tjetra nga deputetët që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike.

Në thelb të dyja kërkesat argumentojnë faktin se sipas tyre, zonjës Xhaçka duhet t’i hiqet mandati, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, ka marrë përfitime mbi pasuri shtetërore. Një kompani e zotit Gaçi, e cila do të ndërtojë një hotel në zonën e Dhërmiut, në një pronësi tërësisht private, ka fituar statusin e investitorit strategjik e për pasojë edhe të drejtën e shfrytëzimit të një sipërfaqe plazhi në bregdetin e jugut. Demokratët janë të mendimit se sipas ligjit, përfitimet e zotit Gaçi, konsiderohen si përfitime dhe të vetë ministres.

Por sipas përfaqësuesve ligjorë të zonjës Xhaçka, ky status “nuk nënkupton ushtrimin e ndonjë veprimtarie fitimprurëse me organet e pushtetit qëndror dhe vendor, por vetëm asistencë administrative gjatë fazave të zhvillimit të projektit, asistencë kjo në kuptimin e mbikëqyrjes dhe ndihmës në kryerjen procedurave të ndryshme administrative gjatë fazave të zhvillimit të projektit”.

Ndërsa kanë pretenduar se dy kërkesat e opozitës nuk plotësojnë kriteret formale, ata ju referuan dhe një vendimi të vetë Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit “që Kuvendi të kërkojë pavlefshmërinë apo mbarimin e mandatit të deputetit duhet që shkelja të jetë kryer nga vetë deputeti dhe jo personat e lidhur me të”.

Gjithçka lidhet me një vendim të 29 marsit 2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, një strukturë qeveritare e drejtuar nga kryeministri, për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë “AG.TCC” shpk, në pronësi të bashkëshortit të zonjës Xhaçka, sipërmarrësit Artan Gaçi. Kompania e përfitoi statusin pasi paraqiti projektin për ndërtimin e një hoteli disa katësh, me 5 yje, në bregdetin e Dhërmiut, me një vlerë prej 5.5 milionë eurosh.

Tre muaj më vonë, më 25 qershor 2021 një shtetase amerikane Tawni Lin Grzych-Sutton, 31 vjeç, banuese në Tiranë krijon shoqërinë “AGTCC Hotel Management”, shpk, me objekt veprimtarie “shërbim hoteleri turizëm”. Ndërsa 5 ditë më vonë, kjo kompani lidh një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e zotit Gaçi “AG.TCC” shpk, sipas së cilës administrimi i të gjitha përfitimeve nga statusi i investitorit strategjik, i kalon kompanisë së zonjës Sutton, e cila rezulton të jetë bashkëjetuesja e vëllait të ministres. Kjo marrëveshje, reflektohet më 15 korrik 2021 në një tjetër vendim të Komitetit të Investimeve strategjike, duke e konsideruar ndër të tjera shoqërinë “AGTCC Hotel Management”, shpk, si “brand ndërkombëtar”. Më 2 mars 2022, qeveria miraton vendimin me anë të të cilit i njeh të drejtën e përdorimit të brigjeve dhe zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit të hotelit shoqërisë “AGTCC Hotel Management”, në emër të zonjës Sutton.

Të dy grupimet e deputetëve demokratë e kanë cilësuar çështjen si një gur prove për paanësinë e Gjykatës Kushtetuese. Deputeti Gazmend Bardhi shkroi përpara fillimit të seancës në Facebook se “vetëm në regjimin e korruptuar të Edi Ramës ndodh që një ministre/deputete të jetë edhe investitore strategjike. E sotmja është një gur prove nëse Gjykata Kushtetuese është garante e Kushtetutës, apo është garante e regjimit të korruptuar të Edi Ramës”.

Ndërsa pas përfundimit të seancës për kërkesën e paraqitur prej tij dhe kolegëve të tjerë që mbështesin zotin Berisha, deputeti Agron Shehaj tha se “ne besojmë se Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një precedent, standard, atë që të heqë mandatin e deputetëve nëse këta përfitojnë nga prona publike. Jemi të bindur që ka vetëm një mundësi përballë këtij abuzimi dhe akti korruptiv, përndryshe do të ishte realisht një dëm shumë i madh për besueshmërinë e kësaj gjykate nëse me vendimin e saj do ta nxirrte të larë deputeten Xhaçka”.

Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për t’u shprehur me vendim. Nëse kërkesat e opozitës do të pranoheshin, atëherë parlamenti do të jetë i detyruar që t’ja kalojë kësaj Gjykate shqyrtimin në themel të papajtueshmërisë ose jo, në ushtrimin e mandatit të zonjës Xhaçka.