Shtëpia e Bardhë po përballet me një mal kritikash të reja pas njoftimit më të fundit të këshilltarëve ligjorë të Presidentit Biden, se kishin gjetur këtë fundjavë edhe 6 dokumente të tjera të shënjuara si sekrete, në shtëpinë e tij në Uilmington. Kjo është tufa e tretë e dokumenteve sekrete që kanë gjetur avokatët e zotit Biden, të cilat sikurse thanë ata, iu dorëzuan menjëherë autoriteteve. Në një komunikim me gazetarët të martën, Shtëpia e Bardhë nuk u dha përgjigje të plotë pyetjeve të ngritura mbi këtë çështje, mes tyre, asaj se pse nuk u njoftua më parë lajmi për gjetjen e këtyre dokumenteve.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, theksoi në mënyrë të përsëritur gjatë një konference për shtyp se Shtëpia e Bardhë nuk do të ofronte më shumë detaje mbi çështjen e dokumenteve sekrete, në një kohë kur hetimet vazhdojnë.
“Ajo që na shqetëson është të sigurohemi që të mos ndërhyjmë politikisht tek Departamenti i Drejtësisë, gjë për të cilën kemi qenë konsekuent gjatë dy viteve të fundit. Ndaj nuk kam ndërmend të krijoj kaos mbi këtë çështje, dhe do të vazhdoj të jem e matur me qëndrimet e mia”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Javën e kaluar Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi Robert Hur, në cilësinë e prokurorit të posaçëm për të hetuar rreth ruajtjes në mënyrë të papërshtatshme të dokumenteve të klasifikuara nga presidenti Biden.
Të shtunën, avokati i Shtëpisë së Bardhë Richard Sauber bëri të ditur nëpërmjet një deklaratë se zyrtarët kishin gjetur edhe 6 dokumente të tjera të klasifikuara, në bibliotekën e presidentit Biden në shtëpinë e tij në Uilmington në shtetin Dellauer. Ai tha se ato i ishin dorëzuar menjëherë Departamentit të Drejtësisë.
Këto dokumente i shtohen atyre që ishin zbuluar më parë po nga këshilltarët ligjorë të zotit Biden. Zbulimi i parë u bë në nëntor të vitit të kaluar, në një institut kërkimor në Uashington, ku zoti Biden kishte punuar pas largimit nga detyra si nënpresident gjatë administratës Obama. Grupi i dytë me dokumente u gjet në dhjetor, në garazhin e shtëpisë së zotit Biden në Uilmington. Por lajmi mbi gjetjen e tyre u bë publik vetëm në janar të këtij viti.
Në reagimin e tij të parë mbi këtë çështje, presidenti Biden tha se ishte befasuar kur mësoi se kishte në posedim dokumente qeveritare.
Ndërkohë më parë Departamenti i Drejtësisë kishte marrë rreth 300 dokumente të klasifikuara si sekrete, në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Gazetari i agjencisë së lajmeve “Associated Press” Eric Tucker, thotë se mes dy rasteve ka dallime thelbësore, që lidhen si me objektin e hetimit ashtu dhe me mënyrën se si u dorëzuan dokumentet sekrete.
“Është e rëndësishme të theksohet se ka vërtet dallime të rëndësishme ligjore mes hetimit që po kryhet për zotin Trump kundrejt atij që po kryhet për zotin Biden. Për shembull, Departamentit të Drejtësisë, FBI-së në fakt i duhej të shkonte në Mar-a-Lago për të sekuestruar kuti me dokumente që përfaqësuesit e zotit Trump kishin refuzuar t'i kthenin, apo që nuk kishin pranuar se i posedonin. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka thënë se avokatët personalë të Presidentit Biden i dhanë Arkivës (Kombëtare) dhe Departamentit të Drejtësisë dokumentet, menjëherë pasi i gjetën. Ky është një ndryshim domethënës. Po kështu Departamenti i Drejtësisë në çështjen Trump thotë se po heton mbi pengimin e mundshëm të drejtësisë, nuk kemi dëgjuar se po hetohet mbi këtë çështje në rastin e Joe Biden-it”.
Në një postim në median sociale zoti Trump, u përpoq të krahasonte rastin e tij me atë të presidentit Biden, duke shtuar se ai vetë nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se gëzonte të drejtë që si president të deklasifikonte dokumente sekrete. Ndërkohë kritikët e zotit Biden në radhët e republikanëve kanë premtuar se do të veprojnë me shpejtësi për zbardhjen e çështjes së dokumenteve sekrete që posedonte presidenti.