Policia gjermane liron aktivisten Greta Thunberg

Policia gjermane njoftoi se aktivistja e klimës Greta Thunberg, arrestuar të martën së bashku me disa aktivistë të tjerë gjatë protestave kundër prishjes së një fshati, për t'i hapur rrugë zgjerimit të një miniere qymyri, është liruar tashmë, pas një kontrolli të identitetit të saj.

Greta Thunberg u ndalua teksa protestonte në minierën e qymyrit Garzweiler 2, rreth 9 km nga fshati Luetzerath. Fillimisht policia gjermane paralajmëroi se do t'i largonte me forcë aktivistët, nëse nuk largoheshin nga territori pranë minierës.

Fshati, në shtetin perëndimor të North Rhine-Westphalia, po pastrohet për të lejuar zgjerimin e minierës. Pronari i minierës, RWE RWEG.DE, ra dakord me qeverinë për ta shkatërruar Luetzerathin, në këmbim të daljes më të shpejtë të tij nga industria e qymyrit, si dhe shpëtimit të pesë fshatrave, që gjithashtu ishin planifikuar për t'u shpopulluar e prishur.

Aktivistët thonë se Gjermania nuk duhet të nxjerrë më qymyr, e se duhet të përqendrohet në zgjerimin e energjisë së rinovueshme.

Policia, mbështetur nga buldozerë, largoi javën e kaluar aktivistët nga ndërtesat e fshatit të braktisur. Disa prej tyre vijuan të qëndrojnë në pemë dhe një tunel nëntokësor fundjavën e kaluar, të tjerë, përfshirë Greta Thunberg, qëndruan pranë minierës duke organizuar një protestë deri të martën.

"Ne do të përdorim forcën për të bërë kontrollin e identitetit, ndaj lutemi bashkëpunoni", i tha një polic grupit të protestuese. Tre oficerë policie shoqëruan aktivisten Greta Thunberg drejt furgonëve të policisë.

Të shtunën aktivistja suedeze e klimës iu drejtua rreth 6,000 protestuesve që marshuan drejt fshatit Luetzerath, duke e quajtur zgjerimin e minierës një "tradhti për brezat e tanishëm e të ardhshëm".

Gjermania është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, tha ajo.