Palestinezët i shohin militantët e 'Strofullës së Luanit' si heronj

Your browser doesn’t support HTML5

Palestinezët i shohin militantët e 'Strofullës së Luanit' si heronj

Izraeli është zotuar të godasë një grup të armatosur të rezistencës palestineze në Bregun Perëndimor të quajtur "Strofulla e Luanit", i cili ka kryer dhjetëra sulme kundër ushtarëve dhe civilëve izraelitë gjatë gjashtë muajve të fundit. Izraeli thotë se grupi është një organizatë terroriste, por në rrugët e Bregut Perëndimor, ata janë heronj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein njofton nga qyteti i Nablusit në Bregun Perëndimor.

Kudo në qytetin palestinez të Nablusit, sheh pankarta që nderojnë "dëshmorët" - të rinjtë e Strofullës së Luanëve, një grup i ri i militantëve palestinezë që sulmojnë ushtarët dhe civilët izraelitë. Dhjetra anëtarë janë vrarë ose arrestuar gjatë muajve të fundit. Banorët e Nablusit thonë se i adhurojnë ata si luftëtarë të lirisë.

“Për sa kohë të ekzistojë pushtimi, të rinjtë palestinezë dhe madje edhe fëmijët do të vazhdojnë të luftojnë. Ne po e luftojmë pushtimin në forma të ndryshme. Ne ekzistojmë dhe të ekzistosh do të thotë të luftosh. Ne e luftojmë pushtimin me çdo formë të mundshme – me gur, me armë, me çfarëdo që mundi”, thotë thotë për Zërin e Amerikës Emad Debey, banor i Nablusit.

Gjatë vitit 2022 u shënuan nivelet më të larta të dhunës izraelito-palestineze në më shumë se një dekadë, me vrasjen e më shumë se 150 palestinezëve dhe mbi 25 izraelitëve. Në përgjigje të një vale sulmesh palestineze rreth gjashtë muaj më parë...ushtria izraelite nisi një goditje kundër personave të armatosur në qytetet e Nablusit dhe Jeninit në Bregun Perëndimor. Sot, ushtria vazhdon inkursionet e saj të shpeshta në zonën e Nablusit për të arrestuar militantët, me bastisje që shpesh kthehen në përleshje vdekjeprurëse.

“Vëllai im u vra nga një plumb në kokë. Ai ishte në prag të derës së shtëpisë së tij. Pati përleshje me ushtarët izraelitë dhe ata e qëlluan në kokë. Izraeli është përgjegjës për rritjen e tensioneve. Ata na pushtojnë dhe kryejnë bastisje gjatë gjithë kohës”, thotë për Zërin e Amerikës Osama Herzallah, tregtar në Nablus.

E formuar në Nablus rreth gjashtë muaj më parë, "Strofulla e Luanit" nuk është e lidhur me grupet militante palestineze më të njohura dhe kundërshton Autoritetin Palestinez, të cilin e sheh si bashkëpunëtor me Izraelin. Palestinezët vendas thonë se situata e vështirë ekonomike dhe papunësia e lartë i ka bërë këta të rinj të dëshpëruar – dhe të shqetësuar se politikat e qeverisë së re izraelite të ekstremit të djathtë do të rrisin vështirësitë dhe konfrontimet e dhunshme.

“Rezistenca, natyrisht, do të rritet, sepse sipas ligjeve të fizikës, çdo veprim sjell një kundërveprim. Është normale. Është normale të presësh që gjërat të përkeqësohen”, thotë thotë për Zërin e Amerikës Sami HIjjawi, kryetar i bashkisë së Nablusit.

Izraeli e sheh grupin si një organizatë terroriste. Zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se ajo është mbështetur dhe financuar nga Irani si një alternativë militante ndaj Autoritetit Palestinez.

“Ata donin të ushqenin dhe të sponsorizonin një grup të ri që nuk e dëgjoi zërin e Autoritetit Palestinez. Ata mund t'i armatosin, dhe ndoshta do të jetë grupi i radhës që do të luftojë kundër Izraelit. Pra, kanë marrë njerëz që humbën punën për shkak të Autoritetit Palestinez, që ishin shumë të zemëruar me Autoritetin Palestinez. Dhe filluan të kontrabandojnë armë, veçanërisht nga Jordania, dhe Jordania nuk është aq larg nga Nablusi”, thotë për Zërin e Amerikës Yaron Buskila, ish komandant i Izraelit në Bregun Perendimor.

Qeveria e re izraelite e vijës së ashpër është zotuar të mbajë një qëndrim edhe më të ashpër kundër militantëve palestinezë. Palestinezët thonë se nuk do të ndalojnë së luftuari dhe shumë presin që përleshjet të shtohen.