Luftime të ashpra në Soledar ndërsa Rusia synon marrjen e qytetit Bakhmut

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe tha sot se forcat ruse dhe ato të grupi mercenar Wagner mund të kenë vënë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit të minierave, Soledar, në lindje të Ukrainës, një nga zonat më të ashpra të luftimeve.

Luftimet në Soledar kanë rezultuar me një numër të lartë viktimash tek të dyja palët.

Presidenti i Ukrainës Volodymy Zelenskyy gjatë fjalimit të tij të hënën tha se i gjithë qyteti ishte shkatërruar.

Falë qëndresës së ushtarëve tanë atje në Soledar kemi arritur të fitojmë kohë dhe të mbledhim fuqi për Ukrainën”, tha zoti Zelenksyy.

Rreth 10 kilometra larg Soledarit ndodhet qyteti i Bakhmutit, që sipas ministrisë britanike është objektivi kryesor i Rusisë.

Pavarësisht përpjekjeve është e vështirë që Rusia të rrethojë menjëherë qytetin pasi forcat ukrainase po ruajnë linja mbrojtëse të qëndrueshme dhe po kontrollojnë rrugët e furnizimit me armë”, tha ministria britanike.

Një zyrtar i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara i cili u foli gazetarëve të hënën duke kërkuar të mos identifikohej tha se luftimet në Bahkmut janë “vërtet të ashpra”.

Kur them të ashpra i referohem dërgimit të mijëra artilerive nga të dyja palët”, tha zyrtari duke shtuar se forcat mercenare ruse po sakrifikojne ushtarët e tyre më të dobët duke i vendosur në vijat e frontit.

Sipas tij, barrën më të rëndë po e marrin ushtarët më të dobët, ndërsa forcat e stërvitura mirë lëvizin pas tyre për të marrë sa më shumë terren.