Stërvitjet e fundit ushtarake ruso-bjelloruse kanë shtuar frikën e një sulmi të dytë kundër Ukrainës nga veriu. Ndërsa ukrainasit e shohin Bjellorusinë si një vend agresor, disa vëzhgues dhe anëtarë të opozitës bjelloruse thonë se jo të gjithë bjellorusët janë në anën e Rusisë. Majde disa bjellorusë kanë vendosur të dëshmojnë besnikërinë e tyre ndaj Ukrainës, duke iu bashkuar ushtrisë së saj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze takoi disa anëtarë të regjimentit bjellorus para nisjes së tyre drejt vijave të frontit.
Your browser doesn’t support HTML5
Bjellorusët janë një nga kontigjentët më të shquar të luftëtarëve të huaj në Ukrainë.
Vullnetarët bjellorusë, kundërshtarë të regjimit të presidentit Aleksander Lukashenko, luftojnë përkrah forcave ukrainase nga viti 2014.
Pasi Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, qindra bjellorusë vendosën të bashkohen në luftë dhe formuan atë që njihet si regjimenti ‘Kastus Kalinouski’.
I emëruar sipas një shkrimtari dhe revolucionari bjellorus që kishte nisur një kryengritje kundër Perandorisë Ruse më 1863, regjimenti vullnetar përbëhet nga disa qindra luftëtarë.
Shumica e anëtarëve të regjimentit përdor pseudonime nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve të tyre. Udhëheqësit e grupit besojnë se roli i tyre është të ndihmojnë Ukrainën në luftën e saj për liri.
“Bjellorusët që mendojnë se Ukraina po vuan, vijnë dhe luftojnë. Me veprimet e tyre ata tregojnë se Ukraina ka nevojë për ndihmë, këtu dhe tani. Djemtë që i bashkohen regjimentit tonë besojnë se Ukraina duhet të jetë e lirë nga agresioni i Putinit dhe se Bjellorusia duhet të jetë e lirë nga agresioni i Putinit dhe Lukashenkos. Prandaj besoj se kjo është baza e ushtrisë së re bjelloruse”, thotë komandanti i regjimentit.
Denys "Kit," i cili ishte pjesë e batalionit ukrainas Azov nga viti 2015 deri më 2016, tha se duke qëndruar përkrah ukrainasve, ata jo vetëm që po ndihmojnë Ukrainën, por po luftojnë edhe për lirinë e vendit të tyre, i cili edhe pse i pavarur, është një aleat i ngushtë i Rusisë.
“Bjellorusia është e pushtuar. Kultura dhe gjuha jonë janë shkatërruar. Njësiti ynë po mundohet t’i rindërtojë ato. Gjëja kryesore që duam të tregojmë është se ka shumë bjellorusë të vërtetë. Ata janë këtu duke ndihmuar. Ka shumë si ne në Bjellorusi, por ata janë të shtypur nga regjimi”, shtoi komandanti i regjimentit.
Anëtarët e këtij njësiti ushtarak e kuptojnë rolin e tyre.
“Federata ruse, Putini dhe shërbëtori i tij, Lukashenko, vodhën vendin dhe pavarësinë tonë”, thotë Mireck, anëtar i regjimentit.
Ushtari flet nga përvoja. Ai shërbeu në forcat e Ministrisë së Brendshme bjelloruse deri në protestat e vitit 2020. Pas shtypjes së përgjakshme të protestave, ai vendosi të mos i shërbente më qeverisë së Lukashenkos. Tani ai është pjesë e regjimentit ‘Kalinovsky’, duke u përgatitur për fushëbetejë.
Anëtarët e regjimentit stërviten nga eksperti ushtarak lituanez i njohur me nofkën “Ziggy”.
Ai thotë se është këtu të hakmirret për vuajtjet që rusët i shkaktuan familjes së tij.
“Gjyshërit e mi u dërguan në Gulag të Siberisë. Sot kam një shans të marr hak. Kjo është lufta për familjen dhe fqinjët e mi. Nëse jo tani, kjo luftë mund të vijë në dyert tona më vonë. Tani kemi shansin ta ndalojmë Putinin”, tha ai.
Shumë luftëtarë të regjimentit besojnë se fitorja e Ukrainës do të çonte në një Bjellorusi të lirë nga ndikimi rus.
Oleksiy Danilov, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, i tha Zërit të Amerikës se qeveria ukrainase vlerëson dhe mbështet kontributin e luftëtarëve të huaj.
“Unë jam mirënjohës ndaj gjeorgjianëve, moldavëve dhe bjellorusëve që po luftojnë në territorin tonë. Qytetarët e ndërgjegjshëm të të gjitha vendeve që aktualisht janë pushtuar nga Federata Ruse na ndihmojnë në këtë luftë. Ata e dinë se po zgjedhin jo vetëm lirinë tonë, por edhe të tyren”, thotë ai.
Me të përfunduar lufta, shton ai, të gjitha vendet do të çlirohen plotësisht nga ndikimi rus dhe më në fund do të bëhen pjesë e asaj që i përkasin, Evropës.