Sulmi që la të vrarë dhjetra forca ruse nxjerr në pah të metat e ushtrisë

Zyrtarët më të lartë ushtarakë rusë po përballen me hetime të thelluara pas daljes në dritë të detajeve të reja mbi vdekjen e së paku 89 ushtarëve rusë pas sulmeve me raketa të ushtrisë ukrainase mbi qytetin Makiivka.

Sulmi në qytetin e kontrolluar nga Moska në Ukrainën lindore, duket të ketë qenë një skenë dramatike. Qindra forca ruse raportohet se ishin pozicionuar në një ndërtesë shumë pranë vijës së frontit, shumë pranë një depoje armatimi duke e drejtuar, pa qëllim, plotësisht mbi ta vëmëndjen e ukrainasve.

Ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj forcave ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë më shumë se dhjetë muaj më parë.

Forcat ukrainase thanë se nga sulmi në Makiivvka mbetën të vrarë 400 ushtarë rusë dhe u plagosën 300 të tjerë. Për shkak të luftimeve, nuk u bë e mundur verifikimi të dhënave të të dyja palëve.

Ushtria ruse fajësoi ushtarët e saj për sulmin vdekjeprurës. Gjenerali Sergei Sevryukov tha në një deklaratë të martë se përdorimi masiv i telefonave celularë nga ushtarët rusë u mundësoi forcave ukrainase të gjurmonin dhe të përcaktonin koordinatat e vendndodhjes së tyre dhe t’i sulmonin.

Emily Ferris, studiuese për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Mbretëror në Londër, i tha agjencisë Associated Press se është shumë e vështirë të verifikohet nëse përdorimi i telefonave celularë mund të jetë bërë shkak për sulmin.

Ajo vuri në dukje se ushtarët rusë në detyrë e kanë të ndaluar përdorimin e celularëve, pikërisht sepse gjatë vitëve të fundit janë bërë objektiv sulmesh për këtë shkak. Zonja Ferris tha se fajësimi i ushtarëve i shërbente Moskës të devijonte kritikat dhe ta kthente vëmendjen tek ndalimi i përdorimit të celularëve.

Sulmi në Makiivka është një goditje tjetër ndaj prestigjit të ushtrisë së Kremlinit, ndërsa forcat ruse përpiqen të përparojnë në sulmin ndaj Ukrainës.

Megjithatë, zonja Ferries thotë se duhet treguar kujdes që ky sulm të shihet si shenjë e dobësimit të ushtrisë ruse.

Ndërsa po dalin në dritë detaje të reja për sulmin, shumë mendojnë se shkak për numrin e lartë të vdekjeve është mungesa e organizimit të ushtrisë.

Zyrtarë të zbulimit britanik thanë të mërkurën se përgjegjësi për numrin e lartë të humbjeve ishin praktikat joprofesionale të ushtrisë. “Bazuar në pasojat e rënda, ekziston mundësia që armatimi të jetë ruajtur shumë pranë kazermës ushtarake, duke çuar kështu në një shpërthim të dyfishtë”, tha ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe përmes një postimi në Twitter. Në të njëjtin postim, ministria tha se godina që u sulmua nga raketat ruse ishte rreth 12 kilometra larg nga vija e frontit në një nga zonat më te konstestura të konfliktit, në Donetsk, rajonin e aneksuar pjesërisht nga Rusia.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, pranoi si rrallë herë, humbjen e 63 ushtarëve. Por pas kërkimeve nën rrënoja numri i viktimave u rrit. Kjo nxiti kritika të reja brenda Rusisë për mënyrën se si Ministria e Mbrojtjes po menaxhon ushtrinë.

Vladlen Tatarsky, një bloger i njohur ushtarak tha se “përdorimi i telefonave nga çdo ushtar ishte tregues i mungesës së zgjuarsisë së gjeneralëve”.

Të tjerë shfaqën kritika ndaj vendimit për të pozicionuar qindra trupa në të njëjtin vend. “Historia e telefonëve nuk është shumë bindëse”, shkroi blogeri ushtarak Semyon Pegov. “Zgjidhja e vetme është të mos grumbullosh të gjithë trupat në një vend. Mos vësh 500 ushtarë në një vend por t’i shpërndash ata në 10 vendndodhje të ndryshme”.

Raportime të pakonfimuara të mediave në gjuhën ruse thanë se viktimat ishin rezervistë nga rajoni i Samaras, në jugperëndim të Rusisë.

Sipas një raporti të Instituti për Studimet e Luftrave incidenti është një tjetër dëshmi se Rusia nuk po i mobilizon si duhet rezervistët që i thirri në luftë shtatorin e shkuar.