SHBA, stuhi dëbore në veri dhe tornado në jug

Your browser doesn’t support HTML5

Mbi 30 centimetra borë do të mbulojnë zonën e ulët veriore që shtrihet mes lumit Mississippi dhe maleve që njihen si “Rocky Mountains”, njofuan parashikuesit e motit të martën. Po e njëjta stuhi do të këcënojë disa pjesë të jugut amerikan me tornado.

Stuhia e fuqishme dimërore ka zbardhur Nebraskën dhe Dakotën e Jugut me një shtresë bore prej 30 centimetrash deri tani dhe mund të sjellë një tjetër shtresë prej 30 centimetrash borë në disa pjesë të Dakotës së Jugut dhe në Minesota, sipas Sherbimit Kombëtar të Motit.

I njëjti sistem po shkakton reshje të dendura shiu dhe krijon kushte për tornado përgjatë pjesës qendrore në Gjirin e Meksikës. Sherbimi Kombëtar i Motit tha se po vëzhgonte mundësinë për tornado dhe breshër në Mississippi të martën.

“Është pjesë e të njëjtit sistem atmosferik. Reshje të dendura bore në pjesën perëndimore dhe veriore të stuhisë...dhe shira të rrëmbyer dhe moti i keq përgjatë jugut”, tha sinoptikania Allison Santorelli.

Rreth 70 fluturime u anuluan të martën në mëngjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Minneapolis-St.Paul, sipas gjurmuesit të fluturimeve “FlightAware”.

Në pjesën veriore të Kalifornisë, banorët e Luginës Qëndrore po përgatiten për një tjetër valë stuhish të fuqishme këtë javë. Reshjet e dendura natën e ndërrimit të viteve shkaktuan përmbytje, duke i marrë jetën një personi dhe detyruar evakuimin e banorëve në zonat e ulëta. Sherbimi Kombëtar i Motit thotë se pjesa veriore u godit nga një sistem i fuqishëm atmosferik me reshje shiu në luginë dhe dëborë në male.

Rreshje të tjera të fuqishme pritet të godasin pjesën veriore të Kalifornisë, duke rënduar situatën në zonat e përmbytura nga stuhia e disa ditëve më parë. Fenomeni i njohur si “lum atmosferik” solli rreth 13 centimetra shi në Luginën e Sakramentos dhe 30 centimetra borë në male, sipas Sherbimit Kombëtar të Motit.

Të dielën, rritja e nivelit të ujërave bëri që zyrtarët lokalë të urdhëronin evakuimin e banorëve pranë lumit Cosumnes në pjesën jugore të Sakramentos. Gjithashtu mbi 1 mijë të burgosur u evakuuan nga zona dhe u dërguan në një objekt tjetër.

E mërkura dhe e enjtja pritet të sjellin një tjetër sistem të fuqishëm atmosferik me rreth 8 centimera shi në luginë dhe afro një metër borë në male. Sipas parashikimeve, erërat do të kenë një shpejtësi prej rreth 80 kilometrash në orë.

Stuhitë pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Sinoptika parashikon reshje dëbore në male dhe shi në rrafshnaltën veriore të Kalifornisë.

Reshjet e shiut në qytetin San Françisko arritën në 13.87 centimetra natën e Vitit të Ri, rasti i dytë me reshjet më të mëdha që nga përmbytjet e nëntorit të vitit 1994, sipas Sherbimit Kombëtar Metereologjik.

Ekipet e shpëtimit ndihmuan shumë shoferë të bllokuar në autostrada natën e Vitit të Ri, ndërsa u gjet një viktimë në një makinë të zhytur në ujërat e rrëmbyer.

Energjia elektrike është rikthyer për pjesën dërrmuese të rreth 150 mijë banorëve që humbën rrymën për shkak të stuhisë. Megjithatë, shiu ishte i nevojshëm për Kaliforninë e goditur nga thatësira e viteve të fundit. Shumica e rezervuarve kryesorë të atij shteti ishin në nivele historikisht të ulëta.