SHBA, republikanët nuk arrijnë të zgjedhin kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve

  • VOA

Për herë të parë pas 100 vjetësh ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve nuk arrijnë të zgjedhin kryetarin që në raundin e parë të votimit.

Republikan Kevin McCarthy nuk arriti të siguronte votat e nevojshme për të marrë drejtimin e Dhomës, pasi nuk u mbështet nga një pjesë e kolegëve të tij.

Ai mori në raundin e parë 203 vota, republikani tjetër Andy Biggs 10 vota ndërsa kandidati demokrat Hakeem Jeffries 212 vota.

Kevin McCarthy u bë kështu politikani i parë që nga viti 1923 që nuk zgjidhet që në raundin e parë.

Ai nuk arriti të zgjidhet as në raundin e dytë dhe të tretë të votimit. Në raundin e dytë, 19 ligjëvënësit disidentë republikanë votuan për Jim Jordan-in, megjithëse ai vetë propozoi zotin McCarthy si kandidat për drejtimin e shumicës republikane. Në raundin e tretë, numri i ligjvënësve që votuan për zotin Jordan u rrit në 20.

Seanca në Dhomën e Përfaqësuesve u mbyll pas tre raundesh historike votimi pa arritur të zgjedhë kryetarin e saj dhe pritet që të rifillojë në mesditën e së mërkurës.

Zoti McCarthy është zotuar se do të luftojë deri në fund.

Pas zgjedhjeve të nëntorit 2022, republikanët rimorën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por në ditën e parë të punimeve të saj dështuan të zgjedhin e kryetarin e Dhomës.

Pa zgjedhjen e Kryetarit, Dhoma e Përfaqësuesve nuk mund të kryejë veprimtaritë e saj.

Ligjvënësit e bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar pas zgjedhjes së kryetarit.

Kandidatura e zotit MCarthy kundërshtohet nga një brez i ri republikanësh që mbështesin ish Presidentin Donald Trump, të cilët thonë se ai nuk është konservator sa duhet dhe nuk është aq i ashpër për të luftuar demokratët.