Rusia intensifikon sulmet në Khersonin e çliruar, në lindje të Ukrainës

Forcat ruse kanë infensifikuar sulmet në qytetin jugor të Khersonit, i çliruar së fundmi, njoftoi ushtria ukrainase, ndërsa vazhdon trysnia ruse përgjatë vijave frontale në lindje.

Për 24 orë Rusia sulmoi me 33 raketa objektivat civile në Kherson, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e mëngjesit të mërkurën. Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët.

Luftimet e ashpra vazhduan edhe rreth qytetit të Bakhmutit të kontrolluar nga ukrainasit, që tani është kthyer kryesisht në gërmadha, në provincën lindore të Donetskut dhe në veri të tij, rreth qyteteve Svatove dhe Kreminna në provincën e Luhanskut, ku forcat ukrainase po përpiqen të thyejnë mbrojtjen ruse.

Sirenat për sulme ajrore u dëgjuan gjithashtu në të gjithë Ukrainën të mërkurën në mëngjes, thanë zyrtarët, megjithëse nuk kishte ndonjë njoftim për sulm me raketa dhe më pas u njoftua se nuk kishte rrezik. Raportet në rrjetet sociale ukrainase thonë se alarmi mbarëkombëtar mund të jetë aktivizuar pas nisjes së avionëve rusë të stacionuar në Bjellorusinë fqinje. Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikojë këto të dhëna.

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se Rusia ka të ngjarë të ketë përfocuar vijën e frontit në Kremina, një pikë e rëndësishme logjistike për Moskën, që është dobësuar pas përparimit të Ukrainës në Perëndim.

Ende nuk është shënuar asnjë përparim në bisedimet për t’i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në muajin e 11-të.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar një plan paqeje prej 10 pikash që kërkon nga Rusia respektimin e plotë të integritetit territorial të Ukrainës dhe largimin e trupave të saj.

Por Kremlini të mërkurën hodhi poshtë propozimin, duke përsëritur qëndrimin e tij se Kievi duhet të pranojë aneksimin rus të katër rajoneve të Ukrainës: Luhanskut dhe Donetskut në lindje dhe Khersonit e Zaporizhias në jug. Aneksimi u shpall pas referendumeve që janë cilësuar si të jashtëligjshme nga Ukraina dhe shumica e vendeve të tjera.

"Nuk mund të ketë plan paqeje për Ukrainën nëse nuk merren parasysh realitetet e sotme në lidhje me territorin rus, me hyrjen e katër rajoneve në Rusi”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Planet që nuk i marrin parasysh këto realitete nuk mund të jenë paqësore”, tha ai.

Presidenti Zelenskyy u tha deputetëve të parlamentit të qëndrojnë të bashkuar përballë sulmit rus dhe vlerësoi ukrainasit që siç u shpreh ai “ndihmuan perëndimin të rigjejë veten”.

“Ngjyrat tona kombëtare janë një simbol ndërkombëtar i guximit dhe qëndresës”, tha ai në fjalimin 45 minutësh pas dyerve të mbyllura.

Forcat ruse braktisën qytetin e Khersonit muajin e kaluar, një nga fitoret më të rëndësishme të Ukrainës në luftë. Rajoni i Khersonit, i vendosur në grykëderdhjen e lumit Dnipro dhe që shërben si portë për në Krimenë e aneksuar nga Rusia, ka rëndësi të madhe strategjike.

Gëzimi i banorëve të Khersonit për çlirimin e qytetit zbehet nga frika e bombardimeve të pamëshirshme ruse nga bregu lindor i lumit Dnipro, duke detyruar zhvendosjen e shumë ukrainasve.

Forcat ruse bombarduan maternitetin e një spitali në Kherson, tha në një postim në Telegram Kyryl Tymoshenko, shef i zyrës së presidentit Zelensky. Askush nuk u plagos, ndërsa stafi dhe pacientët janë zhvendosur në një vend-strehim, shtoi ai.

Një sulm rus vrau të paktën 10 persona dhe plagosi 58 të tjerë në Kherson të shtunën e kaluar, tha Ukraina.

Në raportin e së mërkurës, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se bombardimet ruse vazhduan edhe në rajonin Zaporizhia, dhe rajonet Sumy dhe Kharkiv të Ukrainës verilindore.

Agjencia Reuters nuk arriti të verifikojë raportimet për zonat e luftimeve.

“Ka pasur shumë pak ndryshime sa i përket vijës së frontit, por trysnia nga armiku është intensifikuar, si në aspektin e numrit të ushtarëve ashtu edhe në llojin dhe sasinë e armëve të përdorura”, tha analisti ushtarak ukrainas Olev Zhdanov.

Presidenti rus Putin e quan sulmin e tij kundër Ukrainës një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar fqinjin e tij, i cili siç thotë ai përbën kërcënim për Rusinë.

Lufta ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra civilëve ukrainas dhe ushtarëve të të dyja palëve, shkatërrimin e qyteteve ukrainase dhe zhvendosjen e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre. Ajo gjithashtu ka dëmtuar ekonominë globale, duke nxitur rritjen e çmimit të energjisë dhe ushqimit në botë.