SHBA, Southwest kërkon ndjesë për anulimin e mijëra fluturimeve 

USA-WEATHER/TRAVEL-AIRLINES

Drejtuesi i kompanisë ajrore Southwest premtoi sot se do t’i ndreqte problemet e klientëve të bllokuar disa ditë pas anulimit të fluturimeve dhe vonesave. Kompania ka fajësuar stuhinë dimërore për bllokimin e shërbimeve në nivel kombëtar, në atë që konsiderohet si një nga problemet më të mëdha të udhëtimeve ajrore në histori.

Sipas kompanisë Flightaware, e cila monitoron fluturimet, mbi gjysma e fluturimeve të anuluara të martën ishin ato të kompanisë ajrore Southwest, duke nxitur drejtuesin e saj të kërkonte falje. Kjo nxiti edhe fillimin e një hetimi federal.

Anulimi i fluturimeve ka zemëruar shumë udhëtarë të bllokuar në aeroportet e vendit.

“Festa e Krishtlindjes mori fund. Kjo ishte festa me keqe e Krishtlindjes për mua”, thotë udhëtarja Beenish Saleem.

Të stresuar dhe të bllokuar, udhëtarët e kompanisë ajrore Southwest, janë të zemëruar nga anulimi i më shumë se 2500 fluturimeve vetëm të martën, pas anulimit të mijëra fluturimeve të tjera më herët këtë javë.

Kompania Southwest ka fajësuar stuhinë e madhe dimërore për ndërprerjen e shërbimeve dhe për vështirësitë në përpjekjet për rikthimin e tyre.

“Aplikacioni në celularin tim thotë se fluturimi ynë është anuluar”, thotë udhëtarja Kalyn O’Connor, e cila të hënën kishte në plan të udhëtonte nga qyteti i Pensekolës në Florida drejt shtetit të Mizurit. Ajo vendosi të udhëtonte me makinë sepse nuk mund ta bënte këtë me avion para ditës së enjte.

“Shpresoj se do të na kthejnë paratë e biletës”, thotë ajo.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Southwest, Bob Jordan, kërkoi ndjesë, duke thënë se sistemi operativ i kompanisë për rrjetin e fluturimeve direkte, është i pambrojtur nga sfidat si moti i keq, duke e bërë rimëkëmbjen nga këto probleme më të vështirës sesa konkurrentët e saj.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u kthyer tek operacionet normale. Më vjen shumë keq për këtë”, tha ai.

Zoti Jordan tha se kompania Southwest do të pakësojë ndjeshëm fluturimet në ditët e ardhshme me shpresën se para fillimit të javës tjetër do të jetë në gjendje të kthehet në operacionet normale.

Sindikata e pilotëve të kompanisë ajrore Southwest tha se sistemi i vjetruar i kompanisë po shkakton bllokimin për orë të tëra të klientëve.

“Ata po përdorin sisteme kompjuterike të viteve 1990, kur ne ishim një kompani tre herë më e vogël se tani”, thotë kapiteni Casey Murray nga Shoqata e Pilotëve të Kompanisë Southwest.

Problemet e kompanisë ajrore Southwest nxitën fillimin e një hetimi nga Departamenti amerikan i Transportit.

“Moti nuk është arsyeja e vetme për atë që po ndodh tani. Në fund të fundit, ky nuk është një nivel i pranueshëm shërbimi”, tha Sekretari i Departamentit amerikan të Transportit, Pete Buttigieg.

Komisioni i Senatit për Tregtinë u bëri jehonë thirrjeve për llogaridhënie, duke thënë se kompania ajrore Southwest duhet të ofrojë kompensim financiar për udhëtarët, jo vetëm për mbulimin e kostos së biletave, por edhe atë të hoteleve, ushqimit dhe transportit.