Kremtimi i Krishtlindjes në Kosovë

  • Leonat Shehu

Your browser doesn’t support HTML5

Kremtimi i Krishtlindjes në Kosovë

Në të gjitha kishat dhe famullitë e Kosovës po kremtohen krishtlindjet apo si i quajnë këtu kërshëndellat. Kremtet po përshkohen nga urimet për mbarësi, paqe e mirëkuptim ndërmjet njerëzve.

Mesha kryesore është mbajtur mbrëmë në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, gjatë së cilës Ipeshkvi i Ipeshkvis së Kosovës Dodë Gjergji foli për nevojën e pajtimit të qytetarëve dhe ruajtjen e paqes në vend.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë po ndodh në vendin tonë, ku mungesa e luftës dhe paqja e detyruar nuk ka krijuar kushte për pajtim por vetëm sa ka akumuluar urrejtjen, mosbesimin dhe mosdurimin ndaj njëri-tjetrit që të shpërthejë më vonë. Këndej që ta ruajmë paqen nevojitet që ta kërkojmë fuqinë e brendshme të shpirtit të secilit njeri që jeton në këtë hapësirë, cilit do komb t’i takojë, cilit do shtet t’i takojë sepse secili njeri duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes, nga përdorimi i mjeteve që pengojnë lirinë dhe kërcënojnë paqen dhe mbi gjitha duhet të përmbahemi nga veprimet e pamatura që nuk çojnë drejt pajtimit por drejt konfliktit”, tha ai.

Imzot Dodë Gjergji tha se Krishtlindjet është festë e paqes dhe e dashurisë ndërsa bëri thirrje që bota të përpiqet të jetojë në paqen hyjnore.

“Ku domosdoshmërisht nuk do të thotë që mbretëron paqja sepse në botën të cilën jetojmë mosdurimi, urrejtja dhe konfliktet vazhdojnë të kërcënojnë dhe të rrënojnë jetët njerëzore, të ardhmen e popujve. Sikur ka ndodhur edhe në të kaluarën ashtu sikurse po ndodh edhe sot me luftërat që e kanë prekur gjithmonë historinë e njerëzimit e që vazhdojnë të prekin edhe jetët e shumë të pafajshmëve dhe pafuqishmëve në botën tonë siç ndodh në Ukrainë”, tha ai.

Udhëheqës fetarë e politikë, përgëzuan besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve duke vënë theksin tek thirrjet për paqe, tolerancë e solidaritet.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Krishtlindja është simbol që sjell mesazhin e paqes, dashurisë, respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës.

Urime e përgëzime kanë dërguar edhe përfaqësues të institucioneve tjera, të partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.