Presidenti Volodymyr Zelenskyy foli para ligjvënësve amerikanë në Kongres dhe u takua me Presidentin Joe Biden të mërkurën në një vizitë të jashtëzakonshme në Shtetet e Bashkuara, ku i bëri thirrje partnerit kryesor ndërkombëtar që të vazhdojë mbështetjen ushtarake dhe ekonomike për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti Joe Biden priti Presidentin Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, vizita e të cilit synonte t'i dërgonte presidentit rus Vladimir Putin mesazhin se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme.
"Ai (Presidenti rus Vladimir Putin) po përpiqet ta përdorë dimrin si armë, por populli ukrainas vazhdon të frymëzojë botën me guximin e tij dhe mënyrën se si po tregon qëndresë dhe vendosmëri për të ardhmen e vet", tha presidenti Biden.
Zoti Zelenskyy falënderoi zotin Biden dhe i dha atij një medalje të Kryqit për Merita Ushtarake që i përkiste një ushtari ukrainas, kapiten i një sistemi HIMARS të dhënë nga Shtetet e Bashkuara.
"Ai është shumë trim dhe na tha, ‘jepjani presidentit shumë të guximshëm’. Dhe unë dua t'jua jap juve këtë Kryq për Merita Ushtarake", tha presidenti ukrainas.
Ndërsa ai u ul në tokën amerikane në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i agresionit rus në shkurt, SHBA njoftoi një ndihmë të re prej 1.85 miliardë dollarësh për Ukrainën, që përfshin edhe sistemin Patriot që do të ndihmojë në mbrojtjen kundër raketave ruse – një lëvizje që Moska e quan "provokuese".
Të mërkurën, presidenti Putin tha se Rusia nuk ka "asnjë faj" për luftën.
"Përkundrazi, ky është rezultat i politikës së vendeve të tjera, vendeve të treta, të cilat janë përpjekur gjithmonë për shpërbërjen e botës ruse", tha ai.
Në një sesion të përbashkët të Kongresit, zoti Zelenskyy iu drejtua ligjvënësve amerikanë të cilët po shqyrtojnë një paketë tjetër me 45 miliardë dollarë ndihma urgjente për Ukrainën, e cila do ta çonte ndihmën e përgjithshme amerikane gjatë luftës në më shumë se 100 miliardë dollarë.
"Paratë tuaja nuk janë bamirësi. Ato janë një investim në sigurinë dhe demokracinë globale ne e trajtojmë atë në mënyrën më të përgjegjshme."
Një sondazh i fundit i Këshillit të Çikagos për Politikën e Jashtme, arrin në përfundimin se megjithëse 65% e amerikanëve vazhdojnë të mbështesin ndihmën e SHBA-së për Ukrainën, ata janë të ndarë midis mbështetjes "për aq kohë sa duhet" dhe dëshirës që Uashingtoni t'i kërkojë Kievit që të arrijë marrëveshje për paqe sa më shpejt të jetë e mundur.