Në Shqipëri, roli i grave në vendimarrje ka ardhur duke u përmirësuar, si pasojë e disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kur bëhet fjalë për parlamentin dhe këshillat bashkiakë, por në drejtimin e pushtetit lokal përfaqësimi i tyre është ende i ulët. Kodi nuk parashikon kuota gjinore për drejtimin e pushtetit vendor, dhe aktualisht vetëm 13% e bashkive drejtohen nga gra. Zgjedhja e tyre dhe puna në krye të bashkive, në 3 dekada është shoqëruar me sfida dhe vështirësi të shumta, si pasojë e mentalitetit patriarkal në politikë dhe shoqëri.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Shqipëri roli i gruas në vendimarrje është rritur gjatë viteve të fundit, por sërish sfidat mbeten të shumta sidomos kur bëhet fjalë për drejtimin e pushtetit vendor. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 dhe vitin 2015 parashikojnë 30% gra në listën e kandidatëve për deputetë dhe 50 % në listën e këshilltarëve bashkiakë.
E ndërsa këto ndryshime kanë sjellë më shumë gra në vendimarrjen parlamentare dhe në këshillat bashkiakë, përfaqësimi i tyre në drejtimin e bashkive mbetet i ulët.
Kodi Zgjedhor nuk përcakton kuota gjinore në kandidimin për kryetar bashkie. Sipas të dhënave të Institutit të Studimeve Politike vetëm 6% e të zgjedhurve në krye të bashkive në 9 proçese zgjedhore që prej vitit 1992, janë gra.
Disa prej tyre i thanë Zërit të Amerikës, se kanë ndeshur plot vështirësi si pasojë e mentalitetit patriarkal në politikë dhe shoqëri. Edhe pse janë propozuar dhe mbështetur nga partia e tyre, sërish nuk e kanë patur të lehtë.
“Më kujtohet fushata e 2015-ës, me atë dyshimin e komunitetit që “kjo çupëlina do na drejtojë neve”. Pati dhe nga ata skeptikët që thanë “kemi zonë të vështirë”, por nuk ja dolën, programi ynë fitoi për ta bërë dimalin të dukshëm”- tha për Zërin e Amerikës Juliana Mema, kryetare socialiste e Bashkisë Dimal.
“Në fakt kam ndjerë presion nga politika, qoftë nga maxhoranca që ishte në pushtet por dhe vetë brenda spektrit tonë politik, e kam vuajtur këtë. Kërkon reflektim brenda partisë, t’i japë besim zonjave të angazhohen në politikë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Voltana Ademi, kryetare demokrate e Bashkisë Shkodër, në vitet 2015-2022.
“Nga ana e qytetarëve por dhe brenda partisë socialiste kishte skepticizëm, për faktin që je përballë një kryetari të fortë, shihej e pamundur”- tha për Zërin e Amerikës Adelina Farrici, kryetare socialiste e Bashkisë Burrel në vitet 2011-2015.
“Jam një nënë, grua dhe vajzë nga Durrësi, e shkolluar jashtë. Aseti im më i fortë është puna dhe angazhimi im, që u ka treguar qytetarëve që e drejtoj këtë qytet, dhe për këtë kam marrë besimin e tyre”- u shpreh për Zërin e Amerikës Emiriana Sako, Kryetare socialiste e Bashkisë Durrës.
Vështirësitë në drejtim kanë qenë të shumta. Bashki të zhytura në borxhe, të ardhura të ulëta, varfëri e lartë dhe në rastin e Durrësit pasojat e tërmetit të nëntorit të vitit 2019.
Adelina Farrici, kryetarja socialiste e Bashkisë Burrel në vitet 2011-2015, thotë se ja doli në 4 vite të shlyejë borxhet, të rrisë të ardhurat e bashkisë, dhe donacionet e përmes tyre edhe investimet.
Por beteja për mandatin e dytë erdhi në kushte të reja, pasi reforma administrativo-territoriale e rriti me mbi tre herë numrin e banorëve të bashkisë. Ajo humbi me 90 vota. Sipas saj në këtë humbje ndikuan edhe xhelozitë e burrave brenda partisë.
“Unë kisha mbështetjen qytetare, por humbja erdhi nga xhelozitë brenda Partisë Socialiste, nga pjesa e burrave. Ndoshta dhe kandidatura të tjera të mëparshme që kishin pësuar humbje, nuk mund ta suportonin që të kishte sukses një grua, edhe në zona që ishin kryesisht të djathta”- u shpreh Adelina Farrici, kryetare socialiste e Vashkisë Burrel në vitet 2011-2015.
Emiriana Sako me profesion arkitekte, prej më shumë se dy vitesh është kryetare socialiste e bashkisë së Durrësit, e cila në tre mandate më herët është drejtuar nga Vangjush Dako, i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për korrupsion madhor.
Valbona Sako që pasoi Dakon në krye bashkisë dha dorëheqjen pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019, pak muaj pas zgjedhjes, po ashtu dhe Zhyljen Varfaj që u komandua pas saj.
Në territorin më të prekur nga tërmeti kryetarja aktuale Emiriana Sako, fillimisht e zgjedhur nga këshilli bashkiak dhe në mars të këtij viti, nga qytetarët durrsakë, përmes zgjedhjeve të pjesshme, është fokusuar tek programi i rindërtimit, që përfshin një volum të lartë ndërtimesh, pallate, rikonstruksione dhe lagje të reja me apartamente. Ajo thotë se nuk ka hasur vështirësi si grua në drejtim.
“Unë mendoj që nuk ka lidhje me gjininë por me angazhimin dhe karakterin e personit që drejton institucionin. Në pozicionin e kryetarit të bashkisë, angazhimet janë maksimale dhe të rëndësishme, por nuk kam hasur ndonjëherë probleme që i sjell gjinia”- vijoi Emiriana Sako, kryetare socialiste e Bashkisë Durrës.
Voltana Ademi, kryetare demokrate e bashkisë Shkodër prej 7 vitesh 2015-2022, thotë se si pasojë e dyfishimit të të ardhurave të bashkisë u kryen mjaft punime në infrastrukturë, rikonstruksione shkollash, çerdhesh dhe kopshtesh.
Por ajo që është nënvizuar në vijimësi gjatë 30 viteve, jo vetëm nga gratë kryebashkiake, është ndarja e pabarabartë e fondeve të qeverisë në pushtetin vendor.
Kritikat lidhen me faktin se përfitojnë më shumë bashkitë që drejtohen nga forca politike që qeveris vendin. Edhe për Voltana Ademin ky ishte një shqetësim që është reflektuar dhe në ballafaqimin me drejtues të qeverisë në terren.
"Krahët politikë akoma diktojnë shpërndarjen e fondeve edhe brenda spektrit politik fatkeqësisht. Ne kemi marrë ndonjë projekt të vogël. Bëhet fjalë për shumë pak lekë në krahasim më bashkitë tjera të të njëjtin nivel, që kanë marrë miliona euro për vaditjen dhe kullimin që ishte një funksion i ri. Një gërvishtje nuk është gjurmë, me vjen keq që e them këtë. Duhet të ndjejnë pendesë ata deputetë dhe ministra që nuk i dhanë një mundësi dhe nuk e bënë Shkodrën”- u shpreh Voltana Ademi, Kryetare demokrate e Bashkisë Shkodër, në vitet 2015-2022.
Ndërsa kryetarja socialiste e bashkisë se Dimalit, Juliana Mema tha për Zërin e Amerikës se që prej vitit 2015 kur është zgjedhur në krye të qytetarëve të Dimalit, të ardhurat janë rritur 3 herë dhe investimet për banor 27 herë, ndërsa veçon dhe disa vlerësime ndërkombëtare për artin e rrugës, si dhe për sistemin e integruar të shërbimeve në bashki. Vëmendje sipas saj po marrin dhe vlerat arkiologjike në zone, ndërsa thotë se skepticizmi i fillimit ndaj saj si grua tani është zbutur.
“Për mua nuk duhet parë nëse je grua apo burrë në drejtimin e bashkisë. Ka të bëjë me meritokracinë. Në duhet të përzgjedhim vlerat në drejtim. Unë kam patur bashëpunim të mirë si me burrat ashtu dhe me gratë”- u shpreh Juliana Mema, Kryetare socialiste e Bashkisë Dimal.
Në Shqipëri pritet të mbahet proçesi i dhjetë në tre dekada, i zgjedhjeve vendore, në maj të vitit që vjen. Aktualisht vetëm 13% e bashkive drejtohen nga gratë. Megjithëse me një përmirësim të lehtë krahasuar më disa vite më parë, sërish përfaqësimi i grave në drejtimin e pushtetit vendor mbetet i ulët.
Kodi zgjedhor ka rregulluar përfaqësimin e tyre në listat e deputetëve dhe këshillave bashkiakë, por ende nuk ka një përcaktim të kuotave gjinore për kryetar bashkie. Kjo ka bërë që përfshirja e grave në këto gara zgjedhore të mbetet në vullnetin e partive, dhe për pasojë në shifra të ulëta.