Pas rekomandimit për ndjekje penale, zbehet mbështetja republikane për ish-presidentin Trump

Pas rekomandimit të komisionit të 6 janarit për ngritjen e akuzave ndaj ish- presidentit Trump, ka pak shenja se Partia Republikane do i ofrojë atij mbrojtje me të njëjtin intensitet dhe urgjencë si më parë, kur zoti Trump përballej me probleme të tjera ligjore.

Republikanët me pozita të rëndësishme nuk komentuan mbi rekomandimin historik për ngritje të akuzave.

Disa nga republikanët, të cilëve iu kërkua të flisnin për çështjen, ofruan mbrojtje të vakët, ose nuk folën fare.

Partia Republikane reagoi shpejt dhe me forcë këtë verë pasi agjentët federalë konfiskuan dokumente sekrete nga prona e ish-presidentit në Florida.

Katër muaj më vonë, kjo ndjenjë e intensitetit dhe urgjencës mungon, të paktën tani për tani, pasi komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për ngjarjet e 6 janarit votoi për të rekomanduar që Departamenti i Drejtësisë të ngrinte akuza penale kundër tij.

Guvernatori i Merilendit, Larry Hogan, kritik i zotit Trump, tha se ish- presidenti ishte të paktën pjesërisht përgjegjës për sulmin vdekjeprurës në Kapitol.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha zoti Hogan për agjencinë “Associated Press” pak para votimit të komisionit.

Kjo është një shenjë se sa shpejt ka ndryshuar peisazhi politik për zotin Trump. Para një muaji, ish-presidenti shpalli kandidaturën e tij të tretë për Shtëpinë e Bardhë.

Komisioni i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë bëri rekomandimin historik për rolin e ish-presidentit Donald Trump në sulmin e 6 janarit mbi Kapitolin. Kjo shënon përpjekjen e fundit të Kongresit për ta mbajtur ish-presidentin përgjegjës për sulmin nga qindra përkrahës të tij ndërsa brenda Kongresit punohej për të certifikuar fitoren e zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden në vitin 2020.

Rekomandimi, ndonëse nuk është i detyrueshëm, është kulmi i hetimit njëvjeçar që përfshinte më shumë se 1000 dëshmitarë, 10 seanca dëgjimore publike në televizion dhe mbi 1 milion dokumente.

Komisioni, të cilin udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy e bojkotoi duke e quajtur si një “procestë rremë”, do të shpërbëhet zyrtarisht më 3 janar pasi republikanët marrin shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve.

Zoti Trump parashikoi se vendimi i komisionit do ta ndihmonte atë.

“Këta njerëz nuk e kuptojnë se kur më sulmojnë, njerëzit që e duan lirinë mblidhen rreth meje. Kjo më forcon”, tha zoti Trump në një deklaratë të postuar në rrjetin e tij social, “Truth Social” duke dënuar vendimin e komisionit si një përpjekje partiake për ta mënjanuar atë dhe Partinë Republikane.

Ai kishte shpresuar se statusi i tij si një kandidat i shpallur për president mund ta ndihmonte të përballet me problemet e tij të shumta ligjore dhe të njejtën kohë të shmang kandidatët e mundshëm republikanë për president.

Sondazhet e hershme sugjerojnë se nuk është e sigurt që ish-presidenti 76-vjeçar do të fitojë primaret republikane për t’u bërë kandidati i tyre në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2024.

Zoti Trump, tani i dobësuar politikisht, përballet gjithashtu edhe me publikimin e mundshëm të dokumentave për taksat e tij, të cilat ai i ka mbajtur të fshehura për vite me radhë. Një nga Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të vendosë nëse do të publikohen formularët e taksave të një periudhe gjashtë vjeçare të zotit Trump, si dhe ato që lidhen me bizneset e tij.

Megjithatë, problemi më i madh i zotit Trump që ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme presidenciale ka pak të bëjë me sfidat e tij ligjore. Republikanët janë gjithnjë e më të shqetësuar për shanset e tij për të fituar zgjedhjet.

Shqetësimet e Partisë Republikane për këtë u intensifikuan pas zgjedhjeve të mesmandatit të mbajtura me 8 nëntor, kur kandidatët e mbështetur nga ish-presidenti në disa gara të profilit të lartë, humbën.

Në të vërtetë, javët e para të fushatës së tretë presidenciale të zotit Trump po shkojnë aq keq sa disa aleatë të tij, në biseda private, po pyesin me habi nëse ai e ka seriozisht kandidimin për zgjedhjet e vitit 2024.

Republikanët gjithashtu i bënë atij presion të kërkonte falje pasi muajin e kaluar ai u takua me Nick Fuentes, figurë e njohur publike për qëndrimet e tij ekstreme raciste.

Disa ditë më pas, ai bëri thirrje për dhënien fund të disa pjesëve të Kushtetutës lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 që ai nuk i pranon.

Zoti Trump nuk ka mbajtur asnjë tubim fushate. Javën e kaluar, “shpallja e madhe” që ai e paralajmëroi doli se s’kishte të bënte fare me zgjedhjet, por daljen në treg të një linje të kartave dixhitale ku zoti Trump shihet i veshur si superhero.

Në të njëjtën kohë, sfidat ligjore të tij janë në rritje.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland muajin e kaluar caktoi një prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë lidhur me dokumentet sekrete që u gjetën tek prona e zotit Trump në Florida, si dhe aspektet kryesore të hetimit lidhur me sulmin e 6 janarit mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Prokurori i qarkut Fulton në shtetin Xhorxhia, po heton veçmas përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale 2020 të atij shteti.

Është e pamundur të parashikohet se sa do të zgjasin hetimet ose nëse Departamenti i Drejtësisë do të ndërmarrë hapin e paprecedentë për të paditur një ish-president dhe kandidat aktual. Zoti Trump nuk është më imun ndaj ndjekjeve penale, siç ishte gjatë mandatit si president.

Dhe partia e tij po bëhet më pak e gatshme ta mbrojë.

Komiteti Kombëtar Republikan njoftoi se do të ndalonte pagesën e disa prej faturave ligjore të ish-presidentit pasi ai nisi fushatën e tij presidenciale për vitin 2024.

Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell bëri thirrje për “një shpjegim të menjëhershëm dhe të plotë” pasi FBI ekzekutoi një urdhër kontrolli në pronën e zotit Trump në gusht. Të hënën, ai u tha gazetarëve: “I gjithë vendi e di se kush është përgjegjës për atë ditë”, duke iu referuar sulmit të 6 janarit 2020 mbi Kapitolin.

Senatori republikan, Josh Hawley, gjatë verës bëri thirrje për dorëheqjen e prokurorit të përgjithshëm, Garland, por të hënën ai heshti kur u pyet për rekomandimin e komisionit të Kongresit për ndekje penale ndaj zotit Trump duke preferuar të flasë për gabimet e supozuara të FBI-së.

Ish-nënpresidenti Mike Pence, një kandidat i mundshëm presidencial për vitin 2024, i cili dënoi ashpër FBI-në pasi ajo sekuestroi dokumente sekrete nga prona e zotit Trump, ofroi kritika disi të heshtura ndaj komitetit të 6 janarit kur u pyet për këtë.

“Siç shkrova në librin tim, veprimet dhe fjalët e presidentit më 6 janar ishin të pamatura. Por, nuk e di nëse është kriminale të marrësh këshilla të këqija nga avokatët”, tha zoti Pence për televizionin amerikan, Fox News. Ai shtoi, “Kur bëhet fjalë për vendimin e Departamentit të Drejtësisë për ngritjen e akuzave në të ardhmen, unë do të shpresoja që ata të mos ngrinin akuza kundër ish-presidentit”.

Guvernatori i shtetit Arkanzas, Asa Hutchinson, i cili gjithashtu ka mundësi të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, e pranoi se zoti Trump kishte pasur rol në sulmin e 6 janarit, por tha se rekomandimi për ndjekje penale “nuk është i dobishëm” për hetimin e Departamertit të Drejtësisë.

“Të dhënat janë të qarta se ish-Presidenti Trump është përgjegjës për atë që ndodhi më 6 janar, por përgjegjësia për këtë duhet të vijë nga populli amerikan i cili është gati që vendi ynë t’i lërë pas ngjarjet e 6 janarit”, shkroi ai në Twitter.

Deri më tani, vetëm një pjesë e vogël e anëtarëve të Kongresit e kanë përkrahur kandidaturën e zotit Trump për zgjedhjet e vitit 2024.

Njëra prej tyre, përfaqësuesja republikane, Elise Stefanik, e quajti komisionin e udhëhequr nga demokratët “jokushtetues dhe të paligjshëm”. Ajo tha se zoti Trump ishte i pozicionuar mirë në garën për president.

Zonja Stefanik i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se “Donald Trump po fiton ndjeshëm kundrejt të tjerëve. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, unë mendoj se ai është në një pozicion shumë të fortë.”