Kur Igor Ponochevny vizatoi karikaturën e tij të parë politike, ai jetonte në Rusi dhe punonte në një bankë. Pushtimi rus i Krimesë në vitin 2014 e frymëzoi atë të vizatonte me pseudonimin Alyosha Stupin. Shërbimi rus i Zërit të Amerikës bisedoi me artistin dhe sjell materialin në vijim.
Your browser doesn’t support HTML5
Vizatimet politike janë disa nga krijimet e Igor Ponachevnit, të cilat i filloi më 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë.
“Kur Krimea u aneksua kuptova se Rusia ka hyrë në kohëra të errëta dhe pasojat për vendin do të jenë të tmerrshme. Po përpiqesha të imitoja vizatimin e një fëmije, po përpiqesha të kritikoja dhe tallesha me atë që shihja, ekzaltimin e popullit rus për atë pushtim", thotë karikaturisti politik rus, Igor Ponochevni.
Zoti Ponochevni pretendonte se ishte një 7-vjeçar rus me emrin Alyosha Stupin, që vizaton botën përreth tij.
“Zgjodha emrin Alyosha sepse tingëllon ëmbël. Mbiemri Stupin e zgjodha sepse e pashë si një përzierje midis fjalës Putin dhe fjalës angleze “stupid” ‘budalla’. Kështu lindi emri dhe ndjeva se ishte i duhuri”, thotë zoti Ponochevni.
Në vitin 2014, ai la punën në bankë dhe filloi të vizatonte çdo ditë.
“Unë nuk u tremba nga autoritetet, por kisha frikë nga njerëzit që i shërbenin regjimit. Shumë, në dëshirën e tyre për t’i treguar besnikëri regjimit, mund të përpiqeshin të më ndëshkonin. Në atë kohë, njerëzit dukeshin euforikë dhe çdo mospajtim shihej si sulm personal. Për ta, unë isha një armik”, thotë më tej ai.
Në vitin 2015, zoti Ponochevni u zhvendos në SHBA, ku vazhdoi të vizatonte pa frikë. Sot ai jeton në San Francisko, ku vizaton murale dhe karikatura politike mbi luftën në Ukrainë.
“Simboli i Rusisë moderne është çekani i farkëtarit. Këtu e vizatova si një monument për tmerret që po ndodhin tani. Këtu, shohim qartë se si Kisha ruse i dërgon njerëzit drejt vdekjes…”
Nganjëherë ai imiton stilin e pikturës së famshme "Britma", të piktorit të njohur Edward Munch, si dhe stilin popullor rus.
Ai ka bërë më shumë se 1500 karikatura dhe ka hapur ekspozita në Ukrainë dhe Evropë.
Zoti Ponochevni thotë se detyra e tij si artist është të armatoset me një laps të mprehtë dhe të vizatojë edhe nëse bashkëqytetarëve të tij nuk u pëlqen ajo që bën.